Site icon PrishtinaPress

A u dogjën mustaqet e Adem Jasharit e gishti i Isë Boletinit? Flet drejtori i IML-së

Zjarri që përfshiu ditë më parë Institutin e Mjeksisë Ligjore në Prishtinë (IML), ka ngjallë debat dhe në Parlamentin e Kosovës. Deputetët  në seancën e mbajtur, kanë ngritur si shqetësim, faktin se  në zyrët të cilat i kaploi zjarri, u dogjën dhe  mustaqet e komandantit  Adem Jashari si dhe gishti i heroit Isë Boletini.

Për këtë dilemë të madhe, e cila u ngrit ditëve të fundit, ka folur dhe drejtori i IML-së Ditor Haliti.

Ai për “Indeksonline”  ka thënë se mustaqet e Adem Jasharit dhe një kockë e gishtit të Isë Boletinit, kanë qenë pronë private e Arsim Gërxhaliut, zyrën e të cilit e përfshiu zjarri ditë më parë.

Haliti thotë se ato nuk ishin pronë e IML-së dhe as Ministrisë së Drejtësisë.

“Mustaqet e Adem Jasharit dhe një kockë e gishtit të Isë Boletinit,  sipas informatave që i kemi, kanë qenë pronë private të doktor Arsim Gërxhaliut. Që do të thotë që ai me leje të familjes, i ka mbajtur kur ka punuar në këto raste. Sepse ai ka punuar dhe në rastin e Adem Jasharit dhe në rastin e Isa Boletinit. Dhe  me leje të familjes, i ka marrë si përkujtim mustaqet dhe një kockë të gishtit të Isa Boletinit. Do me thanë kanë qenë pronë private e tij, nuk kanë qenë pronë e Institutit të Mjekësisë Ligjore apo Ministrisë së Drejtësisë”, tha Haliti.

Haliti thotë se nuk mund ta konfirmoj se mustaqet dhe gishti, gjendeshin  në zyren, e cila u dogj dhe se këtë gjë sipas tij, mund ta konfirmoj vetëm Gërxhaliu.

“A kanë qenë në objektin e institutit, a kanë qenë në zyren e tij, nuk e di. Për atë duheni me pyet dr Arsimin, pasi që ai ka qenë kompetent, përgjegjës për gjësendet e tij private dhe personale, që i ka pasur në zyrë. Nuk e di a i ka pasur në zyre, por siç po flitet po thuhet i ka pas. Por nuk mund ta konfirmoj. Vetëm Dr. Arsimi mund ta konfirmojë se ai I ka pas si pronë private. Si institut ne nuk i kemi pasur”, tha ai.

Exit mobile version