Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme pati nënshkruar më 26 gusht në Vjenë të Austrisë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.
Thaçi si kryetar i PDK-së, por edhe si president i vendit, në vazhdimësi ka kërkuar nga Kuvendi që të ratifikojë versionin aktual të demarkacionit. Madje, në disa raste ai nuk ka hezituar që të japë ultimatume në drejtim të deputetëve duke kërkuar që demarkacioni të ratifikohet brenda 10 ditëve.
Ngjashëm si herët e kaluara edhe kësaj radhe zyra për informimin e presidentit Thaçi nuk është përgjigjur interesimit tonë. Edhe pse, këshilltari i presidentit, Ardian Arifaj kishte premtuar se do të përgjigjeshin në këtë çështje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
E në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike dhe eksponent të opozitës thonë se tashmë të gjithë e kanë kuptuar se në asnjë variant nuk mund të bëhen 80 vota për këtë marrëveshje.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se të gjithë, përfshire edhe presidentin Thaçi e dinë se marrëveshja për demarkacionin është gabim, por në momente të caktuara kur ju konvenon ata heshtin.
“Të gjithë e kanë kuptuar se demarkacioni në versionin aktual është i gabuar, por vetëm ata që nuk duan ta pranojnë gabimin që është komisioni qeveritar, kryeministri dhe të tjerët qe kanë interesa nuk po e pranojnë. Prandaj vet tërheqja e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës është e kuptueshme qe bazuar në ekspertizën e ekspertëve të pavarur dihet se është devijuar vija kufitare.
Edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se gjasat për ratifikimin e marrëveshjes aktuale janë të vogla.
“Presidenti Thaçi ma herët ka këmbëngulur në këtë version, por tashmë ai e ka kuptuar se kjo nuk kalon prandaj edhe është tërhequr”, është shprehur Spahiu për Indeksonline.
Në fillim të muajit shtator, kryeministri Mustafa e pati tërhequr nga rendi i ditës projektligjin për demarkacionin me pretendimin se nuk janë kushtet e nevojshme për të shqyrtuar një projektligj të kësaj rëndësie. Madje, ai tha se një grup parlamentar po e kushtëzon ratifikimin e kësaj marrëveshje duke aluduar në Listën Serbe.