1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

A po nxitet “Pranverë Ballkanike” përmes protestave anti-qeveritare në Shqipëri, Mal të Zi e Serbi

Gjithçka filloi me një video të postuar në mediat sociale: një regjistrim sekret i vitit 2016, që duket se tregonte një oligark të njohur vendës duke i dhënë një zarf me para një bashkëpunëtori të Millo Gjukanoviqit, udhëheqësit të Malit të Zi.

Biznesmeni i njohur, ish-mik i ngushtë i presidentit Gjukanoviq, e publikoi videon në fund të vitit të kaluar si hakmarrje ndaj akuzave të ngritura kundër tij për mashtrim dhe pastrim parash, të cilat u bënë shkak që ai të ikte në Londër për t’iu shmangur ndjekjes penale.

Biznesmeni Dushko Knezeviq publikoi gjithashtu një seri dokumentesh që akuzonin presidentin dhe partinë e tij në pushtet për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të detyrës, duke pretenduar se i ka dhënë miliona dollarë Gjukanoviqit dhe partisë së tij në pushtet, transmeton Zëri i Amerikës.

Çështja “Zarfi” ka shkaktuar protesta të shumta kundër Gjukanoviqit, për të kërkuar dorëheqjen e tij, pas pothuajse 30 viteve në pushtet.

Demonstratat anti-qeveritare në Mal të Zi vijnë ndërkohë që protesta të ngjashme po zhvillohen edhe në Serbinë dhe Shqipërinë fqinje, ku demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësve që ata i akuzojnë për sundim autokratik dhe korrupsion, me gjithë premtimet e këtyre udhëheqësve se do t’i fusin vendet përkatëse në Bashkimin Evropian.

Shpërthimi pothuajse i njëkohshëm i lëvizjeve të forta anti-qeveritare në rajon ka bërë që të flitet për një “Pranverë Ballkanike”, si vala e protestave dhe revolucioneve që përfshinë botën arabe në vitin 2010.

Edhe pse asnjëra nga protestat e deritanishme nuk ka arritur të rrëzojë udhëheqësit e Ballkanit, ato kanë inkurajuar një rezistencë qytetare dhe kanë tronditur kontrollin e tyre të fuqishëm mbi pushtetin apo mbështetjen që u vjen nga Perëndimi.

Në Malin e Zi, Gjukanoviqi është përballur prej kohësh me akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Videoja e fundit shihet si goditja më serioze ndaj qeverisjes së tij të deritanishme.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, Gjukanoviqi i mohoi akuzat, duke thënë se pas protestave qëndrojnë partitë opozitare pro-ruse dhe “faktorët e huaj”, edhe pse protestat zyrtarisht drejtohen nga grupe qytetare.

Gjukanoviqi la të kuptohet se protestat kanë për qëllim çarmatosjen e udhëheqësve pro Bashkimit Evropian dhe largimin e Ballkanit nga Perëndimi në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

“Unë mendoj se kjo në thelb nuk është një lëvizje ‘pranverore’, por një lëvizje e zymtë vjeshte,” tha ai. “Bëhet fjalë për të mos lejuar që Ballkani të bashkohet me BE-në”.

Organizatorët e protestës në Mal të Zi këmbëngulin se demonstrimet përfaqësojnë një lëvizje të sinqertë qytetare pa ndonjë ndikim të huaj. Tubimet e tyre të përjavshme kanë tërhequr mijëra njerëz dhe janë më të mëdha në vite.

“Shkaku ishte ai zarf që u dha nga një biznesmen… me qëllimin për të blerë votuesit në zgjedhjet parlamentare të 2016-s, thotë Xhemal Peroviq, organizator i protestave në kryeqytetin malazez.

“Qëllimi ynë është ndryshimi i regjimit”, tha ai. “Një tranzicion paqësor nga një regjim i korruptuar që ka qenë në pushtet prej 30 vitesh dhe që i ka fituar zgjedhjet përmes ryshfetit dhe manipulimit”.

Që kur erdhi në pushtet në fund të viteve 1980, “Car Milo-ja”, siç quhet zakonisht në Malin e Zi, ka qenë president, kryeministër apo udhëheqës i partisë falë kalimit nga njëri post në tjetrin. Por ai ka qenë gjithashtu një aleat i rëndësishëm i Perëndimit në kundërshtimin e ndikimit rus në rajon dhe, para kësaj, në shkëputjen nga njeriu i fortë i Serbisë, Slobodan Millosheviq gjatë luftërave të viteve 1990.

Edhe në Serbi, presidenti populist Aleksandar Vuçiq e portretizon veten si udhëheqës pro-evropian, ndërkohë që përballet me akuza për frenimin e lirive demokratike dhe të mediave në vend. Tensionet politike u rritën muajin e kaluar kur protestuesit hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror të zemëruar ndaj raportimeve të këtij stacioni, që ata thonë se është i njëanshëm.

Demonstruesit po kërkojnë dorëheqjen e Vuçiqit, zgjedhje të lira dhe më shumë demokraci. Ata kanë planifikuar një tubim të madh javën e ardhshme në Beograd.

Edhe Presidenti Vuçiq është përpjekur të minimizojë rëndësinë e protestave si një përpjekje e opozitës për të marrë pushtetin me forcë, ndërsa mediat pro-qeveritare i kanë quajtur udhëheqësit e opozitës si vegla të të huajve.

Në Shqipëri, partitë e opozitës vazhdojnë të protestojnë në rrugë që nga mesi i shkurtit, duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme. Opozita e qendrës së djathtë akuzon qeverinë e majtë socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që qeveria i ka hedhur poshtë.

Protestat kanë qenë të dhunshme. Përkrahësit e opozitës disa herë janë përpjekur të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë në Tiranë ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për t’i shpërndarë.

“Tipar i përbashkët i të gjitha këtyre protestave është se njerëzit janë të pakënaqur me regjimet shumëvjeçare dhe të korruptuara, është zemërimi i grumbulluar për vite, në mos për dekada me radhë”,’ thotë analisti politik malazez Stevo Muk.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img