Site icon PrishtinaPress

A përballet Kosova me sanksione nëse s’e themelon Asociacionin, Hill: Ne jemi shumë seriozë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, është pyetur lidhur me mundësinë e përballjes së Kosovës me ‘sanksione’, në rast se nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, një kërkesë kjo që kushtëzohet nga propozimi evropian.

Duke mos treguar në mënyrë direkte se çka mund të ndodh, pasi gjithçka është hipotetike, Hill vetëm shprehu se ShBA-të janë shumë seriozë për themelimin e Asociacionit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Asnjëherë mos i bëni një diplomati një pyetje që fillon me nëse, pasi është një pyetje hipotetike. Mund të them vetëm se jemi shumë seriozë për themelimin e Asociacionit. Po, jemi shumë seriozë”, tha Hill për gazetën serbe Nova.

“Mendoj se në vend që të diskutohet për 10 vjetorin e marrëveshjes, duhet të flasim për themelimin e Asociacionit”, tha tutje ai.

Hill tutje shtoi se, aktualisht, fokusi kryesor i dialogut Kosovë-Serbi është të arrihet një dakordim për implementimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Ambasadori amerikan u shpreh optimist për takimin e radhës të 18 marsit në Ohër, duke theksuar se, ndonëse mund të mos arrihet dakordimi për aneksin e marrëveshjes, mendon se do mund të bëhet progres.

“Nuk jam i sigurt nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje në atë takim, por e di që negociatorët nga BE-ja dhe ShBA-ja do të jenë atje dhe ka shpresë se do të bëhet përparim në propozimin me të cilin të gjithë thonë se janë dakord. Mendoj se do të shohim përpjekje në zbatimin e planit dhe ky do të jetë fokusi kryesor, siç u paralajmërua edhe më herët”, tha ai. /Reporteri.net/.

Exit mobile version