Kryesia e PDK-së në Skenderaj me kryetar Sami Lushtakun, dje ka marr vendim për përjashtimin e 7 anëtarëve të zgjedhur në Kuvendin Komunal, ndër ta, Bekim Haxhiun i njohur si ‘Kamishi’.
Kjo bëri që të dalin në “sipërfaqe” problemet e brendshme të degës së PDK-së në Skenderaj, konkretisht, përplasjet mes Bekim Haxhiut e Sami Lushtakut nga e njëjta parti.
Mirëpo, për Kryetarin e kësaj komune, Bekim Jasharin, zhvillimet në partitë politike nuk do të ndikojnë në qeverisjen e tij. Ai për Indeksonline është shprehur se primar për të është, ligji.
“Puna ime në krye të Komunës, është e ndikuar nga shumë faktor, primar është ligji. Konsideroj se kam përgjegjësi për të gjithë qytetarët pa dallim partie, dhe në kuadër të ligjit dhe kompetencave i trajtoj njëjtë çështjet brenda kompetencave të mia. Zhvillimet në partitë politike nuk do të ndikojnë në qeverisjen time, ngase, zhvillimet aty janë jashtë përgjegjësisë time. Pres, ashtu si dje, Skënderaji të rikonfirmoj frymën e unitetit, tolerancës dhe vendosmërisë për ta çuar përpara cilësinë e jetës së qytetarëve. Uroj që solidariteti i jashtëzakonshëm i qytetarëve të komunës tonë dhe mirëkuptimi vëllazëror e demokratik të dominoj në secilën parti jo vetëm në Skënderaj” ka thënë Jashari.
Ai nuk i ka komentuar përplasjet mes anëtarëve të PDK-së në degën në Skenderaj, por ka uruar që fryma demokratike të jetë bazë e secilit diskutim në parti.
“Zhvillimet në asnjë parti nuk i komentoj as vlerësoj por, uroj që fryma demokratike të jetë bazë e secilit veprim dhe diskutim në secilën parti shqiptare. Angazhimi im ma imponon që të zbatohen ligjet, të mirëfunksionoj Asambleja komunale dhe toleranca, në pajtim me vlerat më të larta morale e patriotike të popullit tonë” është deklaruar Jashari për Indeksonline.
Ndryshe, në arsyetimin e propozimit për shkarkimin e anëtarëve të degës së PDK-së, të votuar unanimisht, Sami Lushtaku ka thënë se Haxhiu ka nxitur përçarje brenda PDK-së dhe nuk ka përfillur vendimet dhe qëndrimet politike të organeve legjitime të PDK-së dega në Skenderaj./Indeksonline