Site icon PrishtinaPress

A kishte Hashim Thaçi kontroll në krejt UÇK-në? Çfarë shkruante New York Times në vitin 1999

Nisja e gjykimit në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kthyer diskutimet se kush ka luftuar më shumë, kush ka pasur më shumë përgjegjësi, kush ka qenë në front e kush jo.

Krejt kjo si rezultat i një prezantimi që bëri avokati i Thaçit në Hagë. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës nuk ka pasur kontroll mbi komandantët e zonave dhe për këtë paraqiti një video të Rrustem Mustafës që kërcënonte se do ta rrëzonin aeroplanin e përfaqësuesve në Rambuje nëse e nënshkruajnë marrëveshjen.

Pikërisht për rolin e Thaçit dhe kontrollin apo jo të tij në UÇK, kishte raportuar edhe prestigjiozja amerikane New York Times në gushtin e vitit 1999.

Ky artikull fliste për marrëveshjen e çmilitarizimit të UÇK-së pasi trupat e NATO-s zyrtarisht e kishin dëbuar Serbinë nga Kosova.

“Por, këta zyrtarë e pranojnë se z.Thaçi nuk e kontrollon tërë ushtrinë kosovare. Dhe sigurisht këtë nuk e pranon shefi i shtabit të UÇK-së, z.Çeku i cili po përpiqet ta ruajë statusin e ushtrisë së tij si ent ushtarak, pavarësisht këmbënguljes se ushtria duhet të çmilitarizohet deri më 19 shtator”, thuhet në këtë artikull.

Aty komentoheshin edhe raportet e ngushta të administratës Klinton me ish-presidentin Thaçi. Citohej edhe administratori i parë në Kosovë, Bernard Kouchner.

“Zoti Kouchner preferon të besojë në mirëbesimin e z. Thaçi. ‘Unë besoj fuqishëm se vetë Thaçi është pro një demokracie shumëpartiake, multietnike, por se disa në UÇK nuk janë”, shkruhej në raportimin e New York Times.

Deklaratat e mbrojtjes së Thaçit shkaktuan mjaft shumë reagime në Kosovë, duke e cilësuar se “Thaçi nuk paska qenë në front të luftës”./PrishtinaPress/

Exit mobile version