Ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla, ka folur rreth mundësisë që në Kosovë të ketë rusë që qëndrojnë ilegalisht.
Ai, ndonëse ka theksuar se kufiri është duke u ruajtur si kurrë më parë, nuk ka garantuar se nuk ka të atillë.
“Ndajmë një vijë kufitare të gjatë me Serbinë dhe hyrja e ndonjë elementi destabilizues nuk është i pamundur dhe nuk garantojë se nuk është futur askush”, është përgjigjur Sveçla.
Sveçla ka marrë shembull aksionin ku u parandalua një sulm terrorist në Zveçan, ku u kap sasi e madhe municioni.
“Një jelek aty ka pasur logon e njësive speciale ruse. Kjo është dëshmi, ose dikush nga Rusia ka ardhur dhe po vepron ilegalisht, ose dikush nga ekstremistët e asaj ane ka qenë i angazhuar qoftë në luftën e Ukrainës, ose njësitet speciale ruse”.
“Ndikimi destruktiv i Rusisë në Ballkan dhe në rajon tashmë është i ditur. Ka angazhim të shtuar të gjithë botës demokratike që ky ndikim të minimizohet, nëse nuk eliminohet plotësisht”.