7.6 C
Pristina
Monday, September 30, 2024

Buy now

spot_img

A ka rrezik nga mbajtja e zgjedhjeve në veri? Flasin kandidatët për kryetar të komunave

Në veri të Mitrovicës është planifikuar që të ketë zgjedhje më 23 prill të këtij viti.

Këto zgjedhje ishin vendosur të mbahen me 18 dhjetor.

Por, pas tensioneve të shumta zgjedhjet për kryetarët të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zvecanit, u shtynë për 23 prill.

Lidhur me procesin zgjedhor, për Front Online ka folur kandidati për kryetar në komunën e Zubin Potokit, Izmir Zeqiri i cili vjen nga PDK-ja.

Zeqiri tha se grupet kriminale të serbëve në ditën e zgjedhjeve mund t’i pengojnë zgjedhjet.

“Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet por nuk mund të themi që nuk do të ketë pengesa. Nëse ju referohemi djegieve të veturave në veri dhe situatës aktuale mund të ketë ndonjë planifikim për pengimin e zgjedhjeve nga grupet kriminale prej Serbisë që mund t’i prishin këto zgjedhje”, theksoi Zeqiri për Front Online.

Ai pret nga qytetarët shqiptarë të dalin të votojnë.

Sipas Zeqirit, qytetarët serbë do të jenë skeptik për të votuar, pasi kanë presione nga shteti serb.

“Pres që qytetarët shqiptarë do të dalin për të votuar ashtu si çdo herë e nga ata serbë mund të jenë numër shumë i vogël për shkak se frikësohen grupeve kriminale të serbëve. Çdo herë në bazë të statistikave në këtë komunë dalin dikur 11 deri 15 % qytetarë shqiptarë për të votuar dhe pres që do të dalin të gjithë për të votuar”, tha Zeqiri.

Për zgjedhjet në Veri ka folur edhe kandidati i Iniciativës Qytetare “Mitrovica” për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani.

Ai tha për Front Online se nuk pret tensione në ditën e zgjedhjeve në veri.

 “Besoj se nuk do të ketë tensione dhe zgjedhjet do të shkojnë mirë. KQZ nëse vendos me i shty zgjedhjet vendos por nuk e besoj që do të shtyhen. Ne e kemi kryer punën tonë kushtetueses kemi kandiduar për kryetar dhe besoj që do të shkojë mirë”, thotë Osmani.

Ai është shprehur optimist se qytetarët shqiptarë të Zubin Potokut do të dalin të votojnë në ditën e zgjedhjeve.

“Për votim do të dalin edhe komunitete tjera jo vetëm shqiptarë, edhe pse serbët kanë presion prej Listës Serbe dhe nuk kanë mbështetje prej institucioneve tona. Mitrovica shumë e vogël por edhe shqiptarë pak, disponimi nuk është shumë i madh për të dalë me votuar por jam optimist që do të dalin”, u shpreh Osmani.

Ndryshe, KQZ-ja ka bërë të ditur sot se të drejtë vote më 23 prill kanë 45,095 qytetarë apo 1,345 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021.

Kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut janë Taulant Osmani nga PDK, Erden Atiq nga VV dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica.

Për kryetar të Zveçanit janë Ilir Peci nga PDK, Sladjana Pantovic si kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga VV.

Të parin e komunës së Zubin Potokut e synojnë Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga VV.

Ndërsa, për kryetar të komunës së Leposaviqit janë Albulena Behluli- Hetemi nga PDK, Aleksandar Jabllanovic nga Partia Kosovskih Srba dhe Lulzim Hetemi nga VV.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img