2.2 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

A ka kush që i shpëton bukuritë nayrore të Kosovës?!

Prof. dr. Zeqir Veselaj

Sa i përket natyrës, viti 2018 filloi me një vlerësim negativ në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Një vlerësim “no progres-pa progres” në fushën e mjedisit ishte një vlerësim i pakëndshëm por realisht i pritshëm nga ata që i shohin dhe njohin zhvillimet. Është hera e parë prej viti 2005, që kur bëhen vlerësime të tilla nga KE të merret një notë kaq negative për mjedisin. Nuk ka si të jetë ndryshe pasi degradimi i përditshëm që po i bëhet natyrës së bukur të vendit tone është më tepër se evident. Pra kur nuk ka progres, ka regres pasi status-quo nuk ka në natyrë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 52 i bën të gjithë përgjegjës për mjedisin. Kjo duket se vlen gjothë qytetarët por jo për ata që paguhen nga qytetarët për këtë punë. Aktualisht, resori i mjedisit udhëhiqet nga një ministre mjedisi, me 6 zëvendës-ministra dhe një koordinator shtesë për ndryshimet klimatike. Kurrë në historinë e re nuk ka pasur kabinet politik kaq voluminoz. Bashkë me stafin përcjellës të tyre ky kabinet ka afërsisht aq njerëz, sa kanë staf profesional të dy parqet kombëtare së bashku. Shpenzimet buxhetore të të parëve (politikës) sigurisht se janë shumëherë më të larta. E stafi i parqeve kombëtare në baza ditore duhet të ruajnë dhe kujdesen për rreth 11% të territorit me vlerat më të pasura natyrore të Kosovës.

Territori i Kosovës, për kah vlerat e diversiteti floristik, endemizmave dhe specieve relikte përbën një nga 6 qendrat e diversitetit të bimësisë së Evropës. Ky fakt shkencor duket se është abstrakt për politikën tonë. Prezenca e specieve shtazore të rrezikuara globalisht si rrëqebulli, ariu i murrmë, dhia e egër etj., e bën Kosovën qendër të diversitetit faunistik gjithashtu. Fenomenet natyrore si Bifurkacioni i Nerodimes, peizazhet e mrekullueshme si Mirusha, Gryka e  Rugovës etj. po lënë gojëhapur ata turistë të paktë të huaj që po i shohin. Albert Ajnshtajni ka thënë “shiqo thellë në natyrë dhe gjithçka do e kuptosh më mirë”. Sikur hipotetikisht të mund t`i shihnim ne vet këto bukuri me sytë e të huajve.

Parku kombëtar “Sharri” para rreth dy dekadave ishte proceduar për futje nën mbrojtjen e UNESCO për shkak të vlerave unike natyrore, proces të cilin lufta e Kosovës e ndërpreu. Ky park, në sipërfaqe 53,469 ha sot ruhet e menaxhohet me vetëm 18 persona (afërsisht 3,000 ha për një rojtar). Si pasojë, sot kemi situatë ku degradimet janë të evidente, ndërsa ndërtimet legale e ilegale bëhen edhe në zonat strikte të mbrojtjes si në “fshatin turistik” të Prevallës.

Hiq më mirë nuk ka trajtim as parku më i madh kombëtar, ai i Bjeshkëve të Nemuna. Prej shpalljes së tij me 2012 e deri sot, qytetarët e këtyre trevave nuk kanë parë absolutisht asgjë prej asaj që ishte premtuar gjatë debateve publike: nuk ka investime në fshatrat e parkut, pa mundësi punësimi e përfitimi nga bizneset brenda zonës, nuk ka rregull dhe rend. Krejt çka shihet janë dhjetra rojtarë pyjesh, që me një urdhër administrativ janë “transformuar” në rojtar të parkut kombëtar. Rojtarë që kanë ndërruar vetëm uniformën, por jo qasjen primare për çka janë punësuar, e që parkun ta shohin ende masë drunore apo meter kub për prerje nga sharrat e tenderit apo edhe pa tender fare. Nuk është edhe faji i tyre, sepse prëve lakmisë për përfitimet personale nga prerjet, atyre nuk u është ofruar as trajnimi më bazik mbi atë se cilat janë objektivat e mbrojtjes dhe menaxhimit të një parku kombëtar. Aristoteli thotë “natyra asnjëher nuk e dëshpron njeriun, është njeriu që e dëshpron natyrën”.

Në mungesë të perspektivës zhvillimore brenda parkut, dëgjon edhe ide sui generis si ajo e largimit të disa fshatrave të zonës së Rugovës nga parku kombëtar!. Për ta sqaruar më tej po bëj një krahasim: kjo ide i bie sikur Ulpiana të kërkoj të jetë jashtë komunës së Prishtinës sepse banorëve të lagjes nuk po u pëlqen trajtimi nga komuna. Do të ishte rast i vetëm besoj në botë, që një fshat që ndodhet brenda parkut fizikisht e gjeografikisht, të llogaritej legalisht jashtë tij. Nuk i fajësoj banorët e Rugovës aspak. Atyre duhet tu jepen shenja të qarta se aktivitet zhvillimore në shërbim të mbrojtjes si: bujqësia dhe blegtoria e qëndrueshme, shfrytëzimi i qëndrueshëm i bimëve aromatike e mjekësore dhe aromatike, ekoturizmi dhe turizmi tradicional, punimet artizanale, bizneset familjare etj. do ju sjellin më shumë përfitime se sa kubikët e druve që shesin. Atëher nuk do kishte nisma të tilla absurde. Në mungesë të përkrahjes, institucionet në heshtje “përkrahin” edhe këso nismash duke i mashtruar edhe njëher. Parkun kombëtar e mbron komuniteti dhe jo shteti. Ky shtet deri sot po sillet si një lloj “policie” shtesë ndaj tyre, pa u dhënë kurrfarë përkrahje përveq kufizimeve. Kur komuniteti aty sheh me mijëra ndërtime pa leje aty ku nuk duhet, biznese që vijnë nga jashtë dhe i trajtojnë ata si “argat” në ekosistemin e tyre jetësor, sigurisht se rezistenca ndaj parkut do të rritet në mënyrë të qëndrueshme.

Në të dy parqet tona kombëtare, mezi gjen dy tabela që tregojnë se po hyn në territorin e parkut, përderisa sheh qindra tabela biznesesh nga më të voglat. Si ta dijë atëher njeriu dhe vizitori se është duke hyrë brenda parkut kombëtar, ku vlejnë disa rregulla të tjera?. Të mos flitet për shenjat brenda parkut, hartat, qendrat orientuese e informative, edukative e të ngjashme.

Për çdo vit, aprovohen dhe revidohen strategji, plane hapësinore, plane veprimi, plane menaxhimi e dokumenta për ruajtjen e natyrës. Në ato dokumente ku derdhet dije, punë dhe energji ka shumë projekte, të parapara edhe me shuma financiare e afate zbatimi. Buxheti publik për implementim të atyre projekteve nuk ekziston, fatëkeqsisht. Jo që nuk ka buxhet, por gjithmonë ka prioritete të tjera. Për ironi në çdo datë mjedisore, strukturat qeverisëse vazhdojnë shprehjen aq patetike dhe false se “mjedisi është prioritet”. Madje, sivjet edhe Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, nga e cila nuk pritet asgjë pasi rezolutat nuk janë obligative. Ky lloj “prioritizimi” nga institucionet tona, ka bërë që mjedisi si resor jetik së pari për shëndetin e qytetarit e më pas për integrimet evropiane, për çdo vit “të rrëshqas” poshtë e më poshtë edhe në listat e prioriteteve të donatorëve. Duhet falënderuar dy-tre shtete donatore që ende më seriozisht po mbajnë gjallë shpirtin e projekteve mjedisore, prej dhjetra të tilla që kanë qenë më herët. Në fund të fundit kur nuk ndan qeveria e vendit buxhet për mjedisin, pse duhet ta bëjnë të tjerët. Madje as atë buxhet që merret në formën e taksës ekologjike nga veturat, nuk po ia kthen qytetarit. Ekziston në shprehje që rimon në gjuhën angleze: “conservation without money is conversation” (në shqip i bie që ruajtja e natyrës pa para është muhabet koti).

Po trumbetohet shumë se mbeturinat janë bërë turpi i Kosovës dhe vërtetë që kanë cenuar dukshëm panoramën e “evropianëve të rinj” siq po e quajmë veten. Nga pikëvështrimi ekspertizës mjedisore, mbeturinat mbeten poshtë në listën e gjatë të problemeve mjedisore të Kosovës. Janë probleme tjera që janë krimi mjedisor në Kosovë. Të tilla janë: shkatërrimi i natyrës me operator guri, rëre e zhavori në toka e lumenj, hidorcentralet, ndërtime pa kurrfarë kontrolli, humbja e mijëra hektarëve toka bujqësore, prerjet e pyjeve edhe në parqet kombëtare e lista vazhdon. Këto janë problemet e dukshme, shumica me pasoja të pakthyeshme. Problemet e “padukshme” për syrin siq janë koncentrimet mbi standarde të konglomeratit të ndotësve në ajër, ujë e në tokë po e cenojnë pamëshirshëm shëndetin publik të qytetarit duke kushtuar mijëra vite jete njerëzish të humbura para kohe dhe miliona euro shpenzime shërimi.

Gurëthyesit, pas të cilëve tashmë është sekret publik se qëndrojnë segmente të forta politike nuk po kursejnë as zonat më fragjile të natyrës. Me leje ekologjike apo pa të, ato po kthejnë në shkretirë të llojit të vet me mijëra hektarë tokë, por pa kthyer investime mbi dëmin mjedisor.

Lumenjtë tanë do e harrojnë presionin nga ndotja fluide me ujëra të zeza të patrajtuara, nga ndotja solide me mbetje të të gjitha llojeve si dhe “kafshimin” e pamëshirshëm të shtratit nga dhëmbët e eskavatorëve. Tani do jenë në “luftë” me tubat e hidrocentraleve që duan ta gëlltisin ujin e tyre për ta kthyer në energji. Dhe atë në një shtet që nga gjithë studimet serioze është identifikuar për mungesë resursesh ujore për bujqësi dhe nevoja tjera. Shumica e këtyre lumenjëve gjatë muajve të verës janë në ose nën minimumin biologjik. Caku i BE-së për 20% të energjisë së ripërtritshme që po i referohet qeveria, sipas ekspertëve të fushës nuk mund të arrihet me energji nga uji edhe nëse krejt lumenjtë e Kosovës futen në gypa.

Secili institucion, që nga ministritë, agjencitë ekzekutive, institucionet lokale ankohen pothuajse në unison në “dyfishim kompetencash” kur është fjala për degradimin e natyrës. Del një dilemë e thjeshtë: nëse ka dyfishim kompetencash për të lejuar degradimin, pse nuk po dyfishohen ato për të ndalur atë?. Mbi bazën e “përzierjes së kompetencave”, duket se më së lehti “justifikohet” shkatërrimi që po i bëhet natyrës së këtij vendi e për të cilën do na mallkojnë pasardhësit tanë.

Me angazhim serioz të institucioneve përgjegjëse dhe investime në infrastrukturën përcjellëse, problemi i mbeturinave zgjidhet shpejt. Natyrisht duke punuar edhe me faktorin njeri në aspektin edukativ, vetëdijësues e sidomos ligjor. Përndryshe, dëshpërimisht do mbetemi në fushata të pastrimit, e që me gjithë respektin për punën e vullnetarëve, nuk po mund ta evitojnë vendosjen e pamjeve në ballinat e prestigjiozeve siç ajo e Erenikut plastik në “National Geographic”. Me fushata nuk kthehet në jetë rrëqebulli i vrarë në rrethinat e Podujevës, një nga 35 individët e fundit në botë e që mbrohet me ligje ndërkombëtare e vendore.

Problemet në rrugë afatgjatë dhe të qëndrueshme zgjidhen me politika të bazuara në ekspertizë. Ato mund t`i zgjedhin njerëzit që u dhemb zemra që e shohin vendin e tyre në këtë gjendje dhe, me atë dije e njohuri që kanë, punojnë për zgjidhjet e qëndrueshme që në ballina të prestigjiozeve të vendosen bukuritë dhe perlat natyrore të Kosovës si Mirusha, Sharri, Bjeshkët e Nemuna, Gadimja e Nerodimja dhe jo bërllogu, shkatërrimi dhe krimi. Por duket se koha e këtyre njerëzve që i duhen Kosovës nuk është sot.

Ligjërues i edukimit mjedisor në UP.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img