Site icon PrishtinaPress

“A jeni tradhtuar nga BE-ja?”, “Nuk kam shpjegim tjetër”, debat i nxehtë mes gazetarit të BBC-së dhe Kurtit

Kryeministri i Kosovës ka dhënë një intervistë për “HARD TALK” në BBC ku ka pasur një bashkëbisedim jo fort të relaksuar me gazetarin. Duke diskutuar lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe lidhur me sanksionet e Bashkimit Evropian, ata kanë diskutuar edhe raportet e ndërkombëtarëve me Kosovën dhe Serbinë.

Gazetari britanik e ka pyetur Kurtin nëse është i brengosur që miqtë më të mirë të Kosovës mendojnë se Kurti e ka gabim lidhur me themelimin e Asociacionit dhe që po i vendosin sanksione, shkruan Paparaci.com.

“A ju brengos juve, që miqtë juaj më të mirë, më të rëndësishëm në komunitetin ndërkombëtar, duke filluar me Bashkimin Evropian mendojnë se ju e keni gabim, dhe më tepër, ata janë të sigurte se jeni gabim dhe se duhet të ndryshoni mendim, dhe po ju vendosin sanksione qysh tani?”, është shprehur gazetari.

Kurti në këtë moment i ka thënë gazetarit se sanksionet nuk kanë asgjë të bëjnë me marrëveshjet e vitit 2013, për të cilën ka thënë se mund të zbatohet sipas Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Implementimit.

“Këto sanksione nuk kanë asgjë të bëjnë me marrëveshjen e vitit 2013, që ajo është pjesë e 39 marrëveshjeve që janë nënshkruar nga paraardhësit e mi, dhe të cilat duhet të implementohen sipas artikullit 10 të marrëveshjes Bazë mbi të cilën jemi dakorduar me Vuçiqin në Bruksel dhe më pastaj Aneksin e Implementimit të cilin jemi dakorduar në Ohër. Ju nuk mund të qerren përpara kalit tani duke zgjedhur këtë marrëveshje.”, tha Kurti.

Gazetari i BBC-së e ka pyetur se për çfarë i kanë vendosur SHBA-të dhe BE-ja sanksione, derisa Kurti është shprehur se ato kanë të bëjnë me situatën në veri, por ka akuzuar ndërkombëtarët se “nuk po vendosin emra të duhur për gjëra dhe ngjarje specifike”.

“Ju thoni se nuk ka të bëjë me këtë marrëveshje, më tregoni atëherë pse BE dhe SHBA-të po vendosin sanksione të rënda për ju?”, është pyetur Kurti.

“Ka të bëjë me situatën në veri, ku thjesht në njërën anë nuk duan të vendosin emra të duhur për ngjarjet specifike. Tre policë tanë janë kidnapuar një muaj më parë në territorin e Kosovës nga ushtarët dhe policët specialë serbë dhe ata nuk e thërrasin agresion të Serbisë. Unë kam ofruar shumë dëshmi. Të gjithë miqtë dhe partnerët e mi ndërkombëtarë e dinë se ka ndodhur në Leposaviq. Në pikëpamjen time, çfarë po tentojnë të bëjnë është që duke qenë të butë me Serbinë të tentojnë ta nxjerrin nga influenca e Kremlinit dhe nuk mendoj se kjo funksionon.”, është shprehur i pari i ekzekutivit.

Gazetari britanik, është treguar edhe më i drejtpërdrejt në pyetjen e tij duke pyetur Kurtin: “Kështu që, ta kuptoj drejt, ju po akuzoni BE-në që ka tradhtuar lidhjen e fortë me ju, sepse ata janë duke tentuar ta bindin presidentin Vuçiq dhe serbët të largohen nga Putini dhe Rusia?”

Lidhur me këtë, Kurti është shprehur se s’ka tjetër shpjegim sipas tij.

“Nuk kam shpjegim tjetër pse po e tolerojnë kaq shumë. Ne si qenie njerëzore jemi në kërkim të kuptimit, unë nuk di si t’ia shpjegojë vetës dhe të tjerëve sa të butë janë me Beogradin.”, tha Kurti.

Kësaj çfarë ka thënë Kurti, gazetari britanik iu është përgjigjur duke thënë se “moti diplomatik” ka ndryshuar dhe se Kurti ndoshta duhet të përshtatet. Ai iu është referuar faktit se ukrainasit po përdorin armët e Serbisë që po shkojnë atje përmes palëve të treta.

“Ndoshta ju duhet ta lexoni pikturën diplomatike, unë mendoj, kam lexuar raporte dhe mendoj se edhe ju e keni bërë, ka sasi të konsiderueshme të municionit serb, të prodhuar në Serbi, janë duke shkuar nga palët e treta në Ukrainë dhe po përdoren nga Ukraina dhe kjo ka rëndësi për SHBA-të dhe BE-në, dhe ndoshta ju duhet ta pranoni se tani moti diplomatik po ndryshon dhe ju duhet të pajtoheni me këtë poashtu.”, tha gazetari britanik.

“Mirë, nëse një autokrat është i lidhur me Putinin, për ta ndryshuar atë, një vend demokratik si Kosova nuk duhet të paguajë”, ka thënë Kurti.

Pas këtij diskutimi, biseda është zhvilluar lidhur me ndikimin që ka lufta në Ukrainë me situatën në Kosovë. /Paparaci.com/ 

Exit mobile version