Site icon PrishtinaPress

A janë zhdukur dokumente nga Presidenca e Kosovës?

Shërbimi Inspektues i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës pritet ta vizitojë Presidencën e Kosovës javën e ardhshme, për të parë nëse gjithçka është në rregull me dokumentacionin.

Kjo, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Televizionin Dukagjini në Kosovë, më 19 prill, ka thënë se ka vërejtur se në institucionin që drejton, mungojnë dokumente nga e kaluara, të cilat do të duhej të ishin të arkivuara.

Osmani, e cila ka marrë detyrën e presidentes në prill të vitit 2021, nuk ka dhënë detaje se për çfarë dokumentesh bëhet fjalë, por ka thënë se u takojnë “fushave të ndryshme”.

“…nga fusha e sigurisë e deri te politika e jashtme, dokumentacioni që është dashur të jetë aty. Ne fare nuk e kemi gjetur”, ka thënë ajo.

dryshme, përkatësisht nga mandate të presidentëve të ndryshëm të Kosovës, nga shpallja e pavarësisë së vendit më 2008 e këndej.

Në këtë periudhë presidentë kanë qenë: Fatmir Sejdiu (2006-2010), Jakup Krasniqi si ushtrues detyre (2010-2011), Behgjet Pacolli (2011), Atifete Jahjaga ( 2011-2016), Hashim Thaçi (2016-2020), Vjosa Osmani si ushtruese e detyrës (2020-2021), Glauk Konjufca si ushtrues detyre (2021) dhe Vjosa Osmani – presidente aktuale.

“Ka shumë dokumentacion dhe unë nuk mund ta fajësoj asnjërin që të them se ky ose ai i ka marrë me vete [dokumentet]”, ka thënë Osmani për televizionin lokal në Kosovë.

Ajo ka qenë shefe e stafit të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili ka shërbyer nga viti 2006 deri më 2010.

Sipas saj, shumë prej dokumentacionit që është lënë në Presidencë në përfundim të mandatit të Sejdiut, “nuk është gjetur aty”.

I vetmi dokument që Osmani e ka përmendur si të humbur, është një letër që presidenti i atëhershëm, Sejdiu, i ka dërguar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, më 17 Shkurt, 2008 – në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, sipas rolit që i jepet me Kushtetutë, mund të marrë vendime të ndryshme, përfshirë: nënshkrimin e ligjeve që votohen në Kuvend, nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pastaj dekrete për faljen e të burgosurve, korrespodenca me shtetet e jashtme në kuadër të rolit të udhëheqjes së politikës së jashtme, e të tjera.

Në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës janë të publikuara dekretet e presidentëve të vendit nga viti 2009 e këndej.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse në këtë ueb-faqe janë publikuar të gjitha dekretet apo vendimet që janë marrë nga krerët e shtetit ndër vite.

Zyra e Presidentes së Kosovës nuk ka dhënë detaje se cilat dokumente specifike mungojnë në këtë institucion.

“Nuk mund të japim detaje, porse është mirë të ruhet vazhdimësia e memories institucionale. Që nga data kur presidentja Osmani ka marrë detyrën, ne i arkivojmë të gjitha dokumentet, shkresat, vendimet”, kanë thënë nga Zyra e presidentes Osmani për REL-in.

“Çdo dokument zyrtar është arkivuar”

Disa ish-presidentë të Kosovës dhe bashkëpunëtorë të tyre mohojnë se ndonjë dokument që i takon Presidencës së vendit, është marrë me vete apo është zhdukur gjatë mandatit të tyre.

“Çdo dokument zyrtar është arkivuar sipas procedurave. Çdo vendim i nënshkruar është edhe në gazetë zyrtare”, thotë  Ardian Arifaj, këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ka shërbyer nga prilli i vitit 2016 deri në nëntor 2020.

Behgjet Pacolli, i cili ka shërbyer si president i Kosovës për pak më shumë se një muaj në vitin 2011, thotë se detyrat e tij, edhe si president, edhe si ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, i ka dorëzuar “para gazetarëve”.

“Kam dorëzuar arkivin komplet, të klasifikuar në mënyrë profesionale, për çdo person me të cilin kam kontaktuar, me secilën organizatë e secilin shtet”, thotë Pacolli.

Ai, madje, shton se ka kontribuar edhe në rregullimin e infrastrukturës për ruajtjen e dokumenteve.

“Unë jam njeri me eksperiencë dhe e di mirë se vetëm nëse ke ambient dinjitoz, dokumentacion në rregull, t’i mund të kryesh punë dinjitoze. Kjo ishte edhe arsyeja e donacioneve të mia në rregullimin e ambienteve kudo ku kam qenë”, thotë Pacolli.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me ish-presidentët e tjerë apo bashkëpunëtorët e tyre, për të marrë komente lidhur me këtë çështje.

Si bëhet arkivimi dhe çfarë ndodh nëse humbasin dokumentet zyrtare?

Secili institucion i Kosovës e ka për detyrë t’i arkivojë dhe t’i ruajë dokumentet zyrtare derisa nuk kalojnë 30 vjet nga prodhimi i tyre.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) ka rolin e këshilluesit të institucioneve, lidhur me ruajtjen dhe arkivimin e dokumenteve zyrtare.

Sipas kësaj agjencie, me të kaluar 30 vjet nga prodhimi i një dokumenti, ai dorëzohet në ASHAK për ruajtje të përhershme, por, deri në atë kohë, përgjegjës për ruajtjen e tij është institucioni që e prodhon.

Nga ASHAK-u kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, deri më tani, nuk kanë marrë informacione për mungesë të dokumenteve në Presidencë, porse do të bëjnë inspektime në këtë institucion, pas deklaratave të presidentes Osmani.

Në intervistën e dhënë më 19 prill, Osmani ka thënë, po ashtu, se problem me mungesë dokumentesh kanë pasur edhe në institucionet qeveritare.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse në ministri dhe në Zyrën e kryeministrit të Kosovës mungojnë dokumente, Zyra për Informim e Qeverisë nuk është përgjigjur.

As Presidenca, as Qeveria nuk kanë treguar nëse kanë bërë ndonjë denoncim tek organet e rendit, lidhur me pretendimet për humbje të dokumenteve.

Sipas ekspertëve ligjorë, asgjësimi i dokumenteve zyrtare në mënyrë të kundërligjshme mund të jetë vepër penale, e dënueshme me burgim.

“Materiali arkivor është pasuri kombëtare, që duhet të ruhet dhe administrohet konform ligjit. Asgjësimi apo fshehja në mënyrë të kundërligjshme e tij paraqet vepër penale dhe mund të dënohet deri në tre vjet burgim”, thotë Arbër Jashari, avokat me bazë në Prishtinë.

Ngjashëm shprehet edhe kolegu i tij, Florim Shefqeti.

“Secili dokument e ka formën e ruajtjes. Secili dokument që pa procedurë administrative largohet nga vendi i caktuar… apo, në rastin konkret, pretendimi është se janë humbur, atëherë kjo paraqet vepër penale”, thotë Shefqeti.

Sipas tij, humbja apo zhdukja e qëllimshme e dokumenteve zyrtare mund të përfshijë disa vepra penale, mes tyre keqpërdorimin e detyrës zyrtare, andaj, shton ai, ato duhet të raportohen tek organet e rendit.

Në prill të vitit 2020, kur Vjosa Osmani është bërë ushtruese e detyrës së presidentit, është raportuar se ka pasur përpjekje për ta hapur dhunshëm kasafortën presidenciale, ku ka dokumente të klasifikuara.

Osmani ka thënë se ky rast është raportuar në Prokurori, por nuk ka informacione nëse ai është proceduar tutje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Prokurorisë Speciale të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje. /rel/

Exit mobile version