4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

A janë shpeshtuar vërshimet? Ahmeti: Ja pse po ndodh

Dëme të mëdha në infrastrukture rrugore, ekonomi familjare dhe në bujqësi, janë shkaktuar në disa komuna si pasojë e vërshimeve të fundit pas reshjeve të mëdha të shiut. Më të prekurat nga këto vërshime, ishin komuna e Skenderajt dhe Mitrovica, por dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Istog e Klinë.

Tahir Ahmeti, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka deklaruar se shteti duhet të investojë në pajisje të cilat ndihmojnë vendin në raste fatkeqësie ose kur ka vërshime. Sipas tij, një nga investimet që do të ndihmonte shtetin në këtë aspekt është helikopteri.

Ahmeti ka treguar për KosovaPress disa nga arsyet që ndodhin vërshimet, derisa thotë se ato kryesisht vendet rurale janë më të prekurat nga vërshimet.

“Vërshimet ndodhin kryesisht në vendet rurale, për shkak të daljes së ujit nga shtretërit e lumenjve, të cilët që nga paslufta janë degraduar maksimalisht duke nxjerrë zhavorrin nga ata lumenj. Pastaj hedhja e gjësendeve të ndryshme për lumenj dhe proçka, gjitha këto janë disa faktorë të cilët bëjnë që kur të bie shi më i dendur, uji të del jashtë lumenjve dhe të shkaktojë vërshime. Ndërsa në vendet e ndryshme mund të ketë vërshime për shkak të infrastrukturës të dobët nëntokësore, pra ujësjellësit dhe rrjetit të kanalizimit”, theksoi Ahmeti për KosovaPress.

Ai ka renditur edhe disa nga masat që duhet të ndërmarrin institucionet para dhe pasi të ndodhin vërshimet.

“Vërshime ndodhin kudo në botë, janë të paparashikueshme dhe shteti apo institucionet gjithmonë duhet të jenë të përgatitura që kur të ndodhin të jenë sa më të gatshme të intervenojnë dhe si prioritet duhet të jetë dalja në ndihmë e qytetarëve të cilët janë të rrezikuar, sepse jeta e qytetarit gjithmonë duhet të jetë primare. Ndërsa sa i përket masave, para vërshimeve institucionet, qoftë qendrore apo lokale duhet të marrin masa duke pastruar lumenjtë, përroskat, të përmirësohet infrastruktura infrastrukturore, ndërsa qytetarët duhet të vetëdijesohen në mënyrë që mos të hedhin mbeturina në përroska ose lumenj. Ndërsa, kur të ndodhin vërshimet apo fatkeqësi tjera, institucionet duhet të formojnë shtabet e krizave dhe të mobilizohen me zjarrfikësit, policinë dhe emergjencat mjekësore, të cilët janë reaguesit e parë, ndërkaq nëse nuk munden t’i përballojnë këto fatkeqësi, mund të kontaktojnë edhe FSK-në që janë si reagues të dytë në vendin tonë”, shtoi Ahmeti.

Sipas tij numri i reaguesve të parë që intervenuan gjatë këtyre ditëve të fundit në zonat ku kishte vërshime, nuk ka qenë i madh.

“Reagimi ishte në bazë të pajisjeve që kanë, reaguesit e parë, zjarrfikësit në këtë rast, aq sa kanë mundur kanë bërë punën e tyre. Masat e reagimit varën nga mjetet që i kanë por edhe nga numri i reaguesve të parë, i cili mendoi që nuk është i madh aq sa duhet të jetë. Në këtë rast në disa pjesë patëm edhe involvim të FSK-së, të cilët u dolën në ndihmë qytetarëve të rrezikuar”, tha Ahmeti.

Ahmeti konsideron se institucionet e vendit duhet të investojnë më shumë në mjete dhe pajisje që shërbejnë në këto raste.

“Shteti i Kosovës që nga paslufta nuk e ka një helikopter të vetëm i cili në këtë rast mund të përdoret, qoftë prej institucioneve emergjente, pastaj mund të përdoret edhe prej policisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe protokollit të shtetit. Pra, institucionet tona duhet që të investojnë në këtë, sepse është shumë me rëndësi që të ketë shteti helikopter, qoftë nëse ndodh ndonjë fatkeqësi në vendin ku nuk mund të ketë qasje në makina apo edhe për evakuim të personave është e domosdoshme që shteti të bëjë investimin në këtë aspekt, sepse një shtet duhet që të ketë këto mjete dhe pajisje të cilat mund të bëjnë punë që t’i dilet në ndihmë qytetarëve”, tha mes tjerash Ahmeti

Krejt në fund, ai tha se tani institucionet duhet të merren me sajimin e dëmeve dhe t’i qëndrojnë afër qytetarëve të goditur nga vërshimet.

“Institucionet tani për tani duhet të merren me sajimin e dëmeve, duhet të ju ndihmohet popullatës, Skenderaj ka qenë mjaftë i goditur, dhe duhet që sa më shumë të ju qëndrojnë afër qytetarëve. Ndërsa si plane afatgjate duhet që të bëhen investimet e duhura në mënyrë që të paktën këto vërshime me marrjen e atyre masave mund të pakësohen”, tha Ahmeti.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ngre një fond emergjent në shërbim të komunave pas dëmeve nga vërshimet dhe të njëjtin ta menaxhojnë vet institucionet lokale./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img