Site icon PrishtinaPress

A ishin donacion nga Turqia apo u blenë dronët e famshëm “Bayraktar”, flasin nga Ministria e Mbrojtjes

Kosova është pajisur me dronët e famshëm “Bayraktar TB-2”, të Turqisë. Nga Serbia kanë pretenduar se këto fluturake janë donacion, por Ministria e Mbrojtjes i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se janë blerë. Nga ky institucion kanë deklaruar për Express se po vazhdojnë investimet në arsenal ushtarak në koordinim me partnerët strategjikë dhe sipas standardeve të NATO’s.  Për numrin e dronëve të blerë dhe koston, s’kanë pranuar të ndajnë informacione duke thënë se janë të klasifikuara.

Raportimet e para dy muajve se Kosova është pajisur me dronët e famshëm të Turqisë “Bayraktar TB-2’, janë konfirmuar të dielën nga kryeministri Albin Kurti.

I shoqëruar edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK’së, Bekim Jashari, Kurti i pa nga afër dhe ndau foto të tyre në llogarinë e tij në Facebook, ani pse nuk tregoi se me sa të tillë janë pajisur.

Pas këtij postimi të Kurtit, ka reaguar Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, i cili pretendoi se këta dronë nuk janë blerë por i janë dhuruar Kosovës. Saktësisht tha se Turqia i ka dhuruar Kosovës dronë, sisteme anti-tankë, mortaja dhe lloje të tjera të armëve.

Sipas tij, buxheti i ndarë për ushtrinë e Kosovës nuk mund t’i përballojë blerjen e dronëve turq, prandaj tha se janë të sigurt se bëhet fjalë për donacion.

Por, pretendimet e Staroviq i ka hedhur poshtë Ministria e Mbrojtjes së Kosovës. Në një përgjigje për Gazetën Express, Ministria ka thënë se dronët nuk janë donacion, por se janë blerë.

Nga ky institucion kanë deklaruar se investimet në arsenal ushtarak po vazhdojnë në koordinim me partnerët strategjisë dhe conform standardeve të NATO’s.

“Ajo çfarë mund të konfirmojmë është që investimet në arsenal ushtarak po vazhdojnë në përputhje me Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, në koordinim me partnerët tanë strategjikë dhe konform standardeve të NATO-s. Dhe, nuk bëhet fjalë për donacione por për blerje”, kanë deklaruar nga Ministria.

Të pyetur lidhur me numrin e dronëve që janë blerë, kohën dhe koston e tyre, Ministria ka thënë se s’mund të ndajë informacione të tilla, meqë janë të klasifikuara.

“Blerjet dhe detajet e kontratave të investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake janë të klasifikuara dhe rrjedhimisht jo të hapura për publikun. Prandaj përtej shkrimit që mund ta gjeni të publikuar në faqen e ministrisë për këtë temë nuk mund të ndajmë informacione të tjera me ju”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Express.

Reagimi i KFOR’it për dronët: Duhet autorizim nga ne për t’i ngritur në qiell

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti i prezantoi dronët “Bayraktar”, Misioni paqeruajtës i NATO-s ia ka kujtuar Kosovës se KFOR-i është autoriteti parësor për hapësirën ajrore të vendit.

KFOR-i lëshoi një deklaratë në lidhje me përdorimin e dronëve, duke thënë se “hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale”, dhe se për hapësirën e poshtme nevojitet autorizimi i komandantit të KFOR-it.

“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

Në këtë deklaratë, KFOR-i tha se vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të tyre fillestar, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.

“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e përmendur të OKB-së”, thuhet në fund të deklaratës së KFOR-it.

Fluturimet speciale nga Turqia në Kosovë, aeroplani që i solli dronët Bayraktar?

Specialisti me bazë në Holandë që gjurmon fluturimet dhe citohet nga mediat prestigjioze, Gerjon, kishte njoftuar në llogarinë e tij në Twitter më 6 maj se gjatë “dy ditëve të fundit” ishin realizuarkatër fluturime nga Aeroporti i Tekirdagut për në Prishtinë, me aeroporlanin “Zetavia” Ilyushin Il-76TD ??UR-CTX”, që përdoret zakonisht për dërgesa të mallrave të rënda ose të atyre që s’mund të transportohen ndryshe.

Sipas Gerjon, përmes këtij aeroplani ishte bërë dërgesa e dronëve Bayraktar, që Kosova kishte shprehur interesim t’i blejë që nga viti i kaluar.

“Sot më herët, ishte edhe fluturimi i katërt me mallra nga Tekirdagi i Turqisë drejt Prishtinës me “Zetavia” Ilyushin Il-76TD ??UR-CTX, i cili me gjasë do të dërgojë Bayraktar TB2 UAV/pajisje përkatëse në Kosovë. Bazuar nga ruta e ndryshme (e aeroplanit) që tani është larguar nga Prishtina, mendoj se ky mund të ketë qenë fluturimi i fundit”, kishte shkruar ai në Tëitter.

Interesimin e Kosovës për të blerë dronët e famshëm të Turqisë, e kishte zbuluar Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, gjatë një interviste dhjetorin e vitit të kaluar.

Damka kishte thënë se Kosova e ka në agjendë dhe se është duke punuar blerjen e dronëve të prodhimit turk, Bayraktar. Çmimi i saktë i këtyre dronëve s’dihet, por vlerësohet se një kushton rreth 5 milionë euro.

Damka kishte thënë se ky është një proces afatgjatë, derisa shtoi se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.

“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë [Vjosa Osmani] dhe ministri i Mbrojtjes [Armend Mehaj] i kanë vizituar dronët Bayraktar në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, tha Damka për AA, pa dhënë detaje të tjera.

Presidentja Osmani kishte zhvilluar vizitë në kompaninë “Baykar”, gjatë një vizite që kishte realizuar në Turqi, në shkurt të vitit 2022. Në njoftimin për këtë vizitë, s’kishte përmendur interesimin e vendit që t’i ketë këta lloj të dronëve pjesë të arsenalit ushtarak.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, kishte shkruar Osmani.

Dy muaj pas Osmanit, fabrikën në fjalë e kishte vizituar edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai kishte kumtuar se ishte njoftuar për së afërmi me dronët nga Shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar,

“Takimin e radhës e kam zhvilluar në kompaninë Baykar. Gjatë kësaj vizite shefi ekzekutiv i kompanisë Baykar, Z. Haluk Bayraktar më njoftoj për së afërmi me dronët dhe teknologjinë e fundit që po prodhohen në këtë kompani. Falënderoj z. Bayraktar për respektin e tij ndaj Kosovës dhe gatishmërinë e lartë që Kosovës t’i ofroj zgjedhjet më të mira”, kishte shkruar Mehaj.

Çfarë është droni “Bayraktar”?

Ky lloj droni për herë të parë ka fluturuar më 2014 dhe është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes Baykar, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Exit mobile version