0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

A e synon Prigozhin karrigen e Putinit?

Në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, Yevgeny Prigozhin ka bërë burg për vjedhje. Sot udhëheq grupin më të fuqishëm mercenar të Rusisë, Wagner. Dhjetëra mijëra pjesëtarë të tij luftojnë për Rusinë në Ukrainë. Aktualisht, janë të përfshirë rëndë në një nga betejat më të përgjakshme për kapjen e Bahmutit – qytet në lindje të Ukrainës. Dhe Prigozhin raporton vazhdimisht për sukseset e luftëtarëve të tij në fushëbetejë.

“Dua t’i përgëzoj të gjithë djemtë që luftojnë, që janë në vijën e parë të frontit ose në spital; ushtarët që luftojnë për atdheun tonë dhe vullnetarët që punojnë në fabrika dhe prodhojnë municione”, ka thënë Prigozhin nga një zonë e Bahmutit.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Wagner komandon 50.000 trupa në Ukrainë dhe është bërë një komponent kyç në këtë luftë. Sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, rreth 80% e luftëtarëve të tij janë të dënuar që janë nxjerrë nga burgjet. Vetë Prigozhin, një biznesmen i pasur, e portretizon veten si nacionalist të drejtpërdrejtë që përpiqet të mbrojë nderin dhe njerëzit e Rusisë.

Disa ekspertë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ai ndihet i nevojshëm dhe i domosdoshëm për presidentin rus, Vladimir Putin, sidomos pas dështimit të ushtrisë ruse në disa beteja në Ukrainë.

Por, a e synon Prigozhin karrigen e Putinit në këmbim? Kështu së paku kanë aluduar dhe spekuluar disa media dhe vëzhgues. Në fund të janarit, gazetari rus, Mikhail Zygar, ka shkruar një opinion për gazetën amerikane New York Times, ku Prigozhinin e ka përshkruar si “konkurrent të rrezikshëm” të pushtetit të Putinit.

“Zoti Prigozhin mund ta sfidojë presidentin dhe zoti Putin mund të mos jetë më në gjendje ta kundërshtojë ish-kuzhinierin e tij”, ka shkruar Zygar.

Një tjetër artikull i publikuar në New York Times në muajin shkurt ka cituar disa analistë që besojnë se “Prigozhin mund të kthehet kundër Putinit”. Gazeta amerikane, Newsweek, ka cituar një ekspert të ketë thënë se Prigozhin, përfundimisht, do të ngrihet kundër liderit rus”.

Aktivisti opozitar rus, Mikhail Khodorkovsky, i cili jeton në mërgim, ka shkuar edhe më larg, duke spekuluar për një juntë ushtarake, që Prigozhin dhe kundërshtarë të tjerë të mundshëm të Putinit do të mund ta drejtonin.

Tani, është fakt që Prigozhin është bërë fytyra e luftës ruse në Ukrainë, sidomos për shkak të taktikave brutale të grupit të tij në fushëbetejë. Por, a përbën ai vërtet kërcënim për fuqinë e Putinit?

Rebekah Koffler, eksperte e inteligjencës amerikane dhe autore e librit “Doracaku i Putinit”, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Nuk besoj se Prigozhin është një konkurrent i rrezikshëm. Ju e dini se Putin e ka rrethuar veten me njerëz jashtëzakonisht besnikë. Këta njerëz, ish-operativët e inteligjencës, e mbrojnë Putinin. Ata, po ashtu, janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga një sistem teknik i monitorimit i quajtur SORM”.

“Prigozhin, në anën tjetër, nuk është person presidencial. Ai ka qenë i dënuar, ka kaluar kohë në burg, ai mund të tregojë fuqi në rrugë, por nuk është burrështetas”, thotë Koffler.

Prigozhin, në disa raste, është përplasur me zyrtarë të Kremlinit. Në mosmarrëveshjen e fundit, ai ka thënë se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, e kanë penguar dërgimin e municioneve për luftëtarët e Wagnerit, nga urrejtja personale që kanë për të. Prigozhin i ka akuzuar ata për tradhti.

Ai, po ashtu, ka thënë se Bahmuti do të ishte marrë nën kontroll të Rusisë qysh para Vitit të Ri, po të mos ishte “burokracia monstruoze ushtarake”.

Putin, i cili e ka lejuar Wagnerin të operojë, ka pranuar se te pala ruse ka rivalitete të brendshme dhe ka thënë se ato duhet të marrin fund. Në një fjalim drejtuar kombit, më 21 shkurt, ai ka thënë se “kontradiktat ndërinstitucionale, mëritë, keqkuptimet dhe marrëzitë tjera, duhet të hiqen qafe”.

Por, Kasia Kaczmarska, ligjëruese e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Edinburgut, vlerëson për Exposenë se Prigozhin i duhet Putinit. Sipas saj, është taktikë e presidentit rus që t’i lejojë përçarjet mes ushtrisë dhe mercenarëve, në mënyrë që askush prej tyre të mos forcohet së tepërmi. Kaczmarska thotë se pushteti i Putinit, tash për tash, është relativisht i sigurt.

“Vladimir Putin ka mbështetje popullore pas vetes, ka media dhe makineri propaganduese pas vetes. Janë bërë përpjekje enorme për ta bërë atë aq të rëndësishëm dhe të mbështetur nga popullata ruse. Prigozhin, pa marrë parasysh se sa i fuqishëm është si biznesmen, sigurisht që nuk e ka atë lloj mbështetjeje”, thotë Kaczmarska.

Portali i pavarur rus, Meduza, ka shkruar se Prigozhin planifikon “të nisë një lëvizje patriotike dhe konservatore” që “do të mund të evoluojë në një parti politike” – gjë të cilën Prigozhin e ka mohuar publikisht.

Rebekah Koffler, e cila ka punuar edhe për disa shërbime të CIA-s, thotë se kërcënimi që vjen nga Prigozhini duket më shumë si i sajuar.

“Në bazë të analizave të mia të inteligjencës, Prigozhin nuk ka shanse të bëhet president i Rusisë, e as madje likuidues i madh. Putin do që ai vetë të shihet si likuiduesi kryesor në Rusi. Ai është spiun, operativ i KGB-së, është i pamëshirshëm. Ai nuk do të lejojë që dikush si Prigozhini ta marrë vëmendjen prej tij”, thotë Koffler.

Aktualisht, shton ajo, kolapsi i regjimit të Putinit është thjesht një dëshirë. Skena politike ruse, sipas saj, mbetet e hapur vetëm për aktorët që Putini i toleron. Kaczmarska, nga Universiteti i Edinburgut, pajtohet.

“Konkurrentët kryesorë të Putinit janë në burg. Putin e ka pranuar se [aktivisti opozitar] Aleksey Navalny është një konkurrent shumë serioz. Dhe, kjo është arsyeja përse ai ndodhet në burg”, thotë ajo.

Sipas një sondazhi të Institutit të Kërkimeve “Levada” në Moskë, të publikuar në muajin shkurt, Putin mbetet politikani më i besueshëm në Rusi. Sipas sondazhit, katër në pesë të anketuar e mbështesin atë. Kaczmarska beson se Putin mund ta tërheqë Prigozhinin nga skena dhe ta rikthejë kur të dojë vetë. Sipas saj, ekziston vetëm një skenar i mundshëm për fundin e regjimit të tij.

“Skenar i mundshëm është ai i Kazakistanit, sipas të cilit presidenti, fizikisht, nuk është në gjendje ta mbajë pushtetin dhe të mbetet në zyrë”, thotë Kaczmarska.

Putin, 70 vjeç, ka qenë politikani më i fuqishëm i Rusisë qëkur ka marrë presidencën në vitin 2000, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Boris Yeltsin. Në vitin 2021, ai ka nënshkruar një ligj, që i mundëson të garojë edhe dy herë të tjera për president dhe, potencialisht, të mbetet në zyrë deri në vitin 2036.

Me Prigozhinin, ai ka së paku 20 vjet që njihet. Kompania e biznesmenit e ka furnizuar Kremlinin me ushqime dhe, për këtë arsye, Prigozhin ka marrë nofkën “kuzhinier i Putinit”.

Me ligjin rus, forcat mercenare janë ilegale, andaj grupi Wagner është regjistruar si kompani në vitin 2022 dhe ka hapur një seli të re në Shën Petersburg. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur Wagnerin organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.

Bashkëbiseduesit e Exposesë konkludojnë se çdo përpjekje e “kuzhinierit” për ta sfiduar drejtpërdrejt Putinin, do të dështojë. Prigozhin nuk do të donte të vetëvritej as në kuptimin politik, as të drejtpërdrejtë, thonë ato.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img