Site icon PrishtinaPress

A do t’i shpëtojë drejtësisë Milan Radojçiq?

“Milan Radojçiq nuk mund të qëndroj komod në Serbi, në rast se arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sepse pjesë e asaj marrëveshje do të jetë edhe marrëveshja për ekstradimet për shtetasit e të dyja vendeve që kryejnë vepra penale dhe strehohen në vendin tjetër”.

Kështu ka deklaruar juristi Skender Musa në lidhje me mundësitë juridike dhe diplomatike të përballjes së Radojçiqit para drejtësisë.

Milan Radojçiq ka qenë në listën e zezë të shërbimeve të inteligjencës së SHBA-së për një kohë të gjatë, ndërsa ka pasur edhe fletarrestime të mëparshme, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Megjithatë, ai nuk është paraqitur kurrë para drejtësisë për pretendimet për veprat e kryera

Në aspektin juridik, avokati Yll Zekaj ka vlerësuar se një nga problemet kryesore që Kosova përballet është mungesa e një marrëveshje për bashkëpunim juridiko-ndërkombëtar dhe mungesa e një marrëveshje për ekstradim me Serbinë.

Kjo bën që Kosova të ketë vështirësi në të kërkuar arrestimin dhe paraqitjen e Radojçiqit para drejtësisë.

“Në aspektin juridik Kosova ka problem që t’i qaset Radojçiqit për arsye se nuk kemi një marrëveshje për bashkëpunim juridiko-ndërkombëtarë e as marrëveshje për ekstradimin e të njëjtit me shtetin e Serbisë, ku dihet botërisht që shteti i serb është në mbrojtje të Radojçiqit si edhe nënkryetari i Listës Serbe”, ka deklaruar Zekaj për RTV Dukagjinin në emisionin FIVE.

Megjithatë, siç ka bërë të ditur Musa ka ndryshime të reja në kodin e procedurës penale që mundësojnë hetimin në mungesë dhe ngritjen e aktakuzës.

Paraprakisht sipas tij duhet të bëhet një flet-lëshim vendor dhe ndërkombëtar, duke përfshirë INTERPOL-in dhe Europol-in.

“Ka pasur ndryshime në kodin e ri të procedurës penale dhe është mundësia që të zhvillohen hetimet në mungesë dhe të ngrihet aktakuza, por paraprakisht duhet të shohim të gjitha mundësit që i parasheh ligji për arrestimin e tij. Para se me ardh te procedura për gjykimin në mungesë duhet të bëhet flet-lëshimi vendor dhe ndërkombëtar,  që përfshin INTERPOL-in dhe Europol-in”, ka thënë avokati Musa.

Sulmi terrorist ndaj policisë shpërtheu tensionet në pjesën veriore të Kosovës, e cila është kryesisht e banuar nga komuniteti serb. Autoritetet e vendit thanë se sulmuesit, mbi 30 prej tyre, ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shpërndarë disa pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe, se ka qenë udhëheqës i grupit terrorist i cili sulmoi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, një tjetër polic i plagosur e disa të lënduar.

 

Exit mobile version