Kosova është tronditur nga një rast i rëndë që ka ndodhur në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë “Orenda”. Një grua e moshuar shihet duke u rrahuar brutalisht nga infermierët e kësaj shtëpie.
Inspektorati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor.
Lidhur me këtë kanë folur edhe nga Inspektorati i Punës në një konferencë për media.
Një nga zyrtarët tha që punëtoret në këtë qendër kanë pasur licenca të punës, derisa nuk e mohoi mundësinë se atyre mund t’iu merret licenca.
“Infermierët që punojnë këtu janë me licenca valide të punës. Stafi shëndetësor është me licencë valide. Edhe ajo (e dyshuara) është me licencë. Menaxhmenti na propozoi një vendim ku katër infermieret janë suspenduar nga puna dhe janë në procedurë hetimore nga Policia. Cka ka ndodh ma konkretisht, Policia jep informata. Licenca mund edhe të iu merret, pavarësisht nga Këshilli Etikoprofesional i Odës, ata janë organi që japin vendimin përfundimtar.”
Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë.
“Pas inspektimit, Raporti i Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi”.
“Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohen profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë”.
Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se të dyshuarat ngarkohen me tri vepra penale dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit.