Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit, do të merret në dy ose tri ditët në vijim.
Lidhur me situatën e krijuar në veri, ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një takim me disa nga institucionet e sigurisë.
Këto deklarata Osmani i ka bërë në Prishtinë pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.
“Kam kërkuar raport në baza ditore. Sot kam takim me disa institucione të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Tani janë duke më pritur në zyrë dhe është një ndër takimet e shumta qe do ta kem lidhur me situatën”.
Ajo ka shpjeguar edhe mënyrën sesi mund të vijë deri te shtyrja e zgjedhjeve, duke përmendur opinionin e Komisionit të Venecias.
“Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë dhe në momentin që do ta marrë raportin e plotë do ta kemi një pasqyrë më të qartë rreth çështjes së zgjedhjeve në veri”.
“Si rregull ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, të trajtohet në KQZ e më pastaj propozimi i KQZ-së vije në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike. Besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, ka thënë tutje Osmani, duke shtuar se patjetër duhet të ketë koordinim ndërmjet partive politike./Prishtinapress/