5.9 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

A do të mund të betohen dhe t’ia nisin punës 4 kryetarët e rinj të komunave në Veri?

Të dielën e 23 prillit janë mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës. Ky proces u karakterizua me dalje të ulët të qytetarëve, derisa garën e fituan kandidatët shqiptarë.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq fituan kandidatët e Vetëvendosjes, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok shumicën e votave i morën kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Por për të ushtruar mandatin e tyre, kryetarët e ardhshëm pritet të kenë disa sfida siç është betimi.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut të dielën që shkoi kanë pasur mundësinë që të dalin të votojnë për udhëheqësin e tyre. Si komuna me shumicë serbe për të cilat nuk pat kandidatë nga Lista Serbe, dalja në zgjedhje ishte e ulët, 3,47 për qind. Ndonëse numri i votave ishte i ulët, KQZ njoftoi se në dy komuna ka fituar VV e në dy të tjera e para ka dalë PDK. Por kandidatët fitues i presin disa sfida, siç është ajo e betimit.

Kandidati i PDK-së që ka fituar shumicën e votave në komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka folur për zgjedhjet e 23 prillit dhe situatën pas zgjedhjeve.

Zeqiri tha se pas certifikimit të rezultateve do të ketë sfida, mirëpo është i bindur që “do t’ia dalin”.

“Ne jemi të kënaqur me rezultatin. Në vendvotimin ku kam votuar edhe vetë, 95 për qind e banorëve rezidentë kanë dalë në zgjedhje… Do të ketë sfida, mirëpo ne do ta bëjmë më të mirën, do të formojmë ekipe kredibile. Ka sfida, mirëpo besoj që do t’ia dalim”, tha ai.

Kryetari i ardhshëm i Zubin Potokut tha se ende nuk kanë informacione se kur do ta bëjë betimin si kryetar i komunës, mirëpo këtë procedurë ai beson se mund ta bëjë në zyret komunale që ndodhen në fshatin Çabër.

“Një pjesë të zyreve komunale i kemi të instaluara në fshatin Çabër, ku janë disa zyre funksionale, dikastere komunale që janë në funksion. Ne nuk e kemi synim as prioritet menjëherë me i marrë objektet, por synimi jonë është që t’i themelojmë kabinetin dhe drejtoritë. Ne jemi të hapur të gjithë, edhe për serbët… Do të shohim, betimin mund ta bëjmë edhe në zyret komunale në Çabër. Besoj që kemi vende ku do të mbahet”, tha ai.

Ai tha se nuk është synim i tyre që t’i marrin objektet komunale menjëherë, por themelimi i kabinetit dhe drejtorive. Zeqiri bëri të ditur se në përbërjen e kuvendit komunal në Zubin Potok shumica janë shqiptarë, derisa kryesuesi është serb.

“Në përbërjen e kuvendit shumica janë shqiptarë, dy janë serbë edhe kryesuesi është serb”, tha ai në dje.

Zeqiri tha se ai është i hapur për bashkëpunim me të gjithë, derisa shton se “kanë kapacitete dhe profesionalizëm për ta udhëhequr Zubin Potokun”.

Për problemet që kryetarë e rinj në Veri mund t’i kenë ka folur edhe Eugen Cakolli nga KDI. Hyrja në objekte komunale, emërimi i drejtorëve dhe ofrimi i shërbimeve janë disa nga sfidat që i presin ata, sipas Cakollit.

“Unë besoj që të gjithë kandidatët pa përjashtim, mbase në një situatë pak më ndryshe në Mitrovicën e Veriut, por në tri komunat më në Veri vlerësoj që kandidatët e zgjedhur, nëse rezultatet certifikohen nga KQZ, do të kenë probleme të hyjnë në objektet komunale e lëre më të emërojnë drejtorë e të ofrojnë shërbime. Në rastin e Mitrovicës së Veriut që ka kompetenca të zgjeruara në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe emërimit e komandantëve të stacioneve policore. Praktikisht do të jetë gati e pamundur që komunat t’i ushtrojnë mandatet e tyre në përputhje me ligjin”, tha Cakolli dje.

Cakolli thotë se ekzistojnë dy kritere, të cilat nëse nuk plotësohen atëherë kryetarët mund t’i humbin mandatet dhe katër komunat të shkojnë prapë në zgjedhje. Bëhet fjalë për betimin dhe paraqitjen në punë.

“Është vështirë e besueshme që këta kryetarë do të arrijnë që deri në fund të vitit 2025, kur u skadon ligjërisht mandati, të mund t’i ushtrojnë mandatet e tyre. Shumë prej tyre mund të mos përmbushin njërin prej kriteret ligjore që është paraqitja në punë të paktën për një muaj me radhë. Në rast se kjo bëhet, ata mund ta humbin mandatin… Sipas ligjit, kryetarët janë të obliguar që brenda 30 ditësh të japin betimin para kuvendit komunal dhe në rast nuk zbatohen këto dy kritere, mandati i tyre përfundon dhe duhet të shpallen zgjedhje të reja”, deklaroi Cakolli.

Kujtojmë që zgjedhjet në Veri u mbajtën pasi Lista Serbe më 5 nëntor vendosi që të largohet nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në shenjë proteste ndaj vendimit për targat. Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në Veri, presidentja Osmani shpalli zgjedhjet për 18 dhjetor, të cilat më pas për shkak të tensioneve në Veri i shtyu për më 23 prill.

Në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Lista Serbe, të cilët më pas edhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë që t’i bojkotojnë zgjedhjet. Kjo ka ndikuar që dalja e qytetarëve të jetë e ulët, 3,47 për qind./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img