1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

A do të merren parasysh kërkesat e Mogherinit nga politika kosovare?

Njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, konsiderojnë se Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, pas vizitës në Kosovës, ishte e qartë në mesazhet dhe kërkesa e saj për udhëheqësit e institucioneve.

Analistët thonë se liderët politikë në vend, si ata në pushtet, ashtu edhe ata të opozitës, duhet të gjejnë një zgjidhje për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Analisti, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zyrtarja e BE-së pas vizitës në Kosovë, ishte e qartë se nëse votohet demarkacioni, BE-ja do të lëvizë shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Porosia e Brukselit ishte e qartë. Liderëve kosovarë iu mbetet të gjejnë konsensus, në mënyrë që të zhbllokojnë procesin. Çdo zvarritje do ta dëmtojë vendin dhe qytetarët”, vlerëson Mushkolaj.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ripërsëriti mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është koha e fundit ta ratifikoni Marrëveshjen me Malin e Zi dhe kjo do ta zhbllokojë liberalizimin e vizave. Ky vendim është në duart e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Mogherini.

Analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i miratimit të Demarkacionit është shndërruar në një betejë të ashpër politike.

Ai thekson se politikanët në Kosovë nuk po arrijnë t’i kuptojnë se cilat janë gjëra të rëndësishme për vendin dhe po lejojnë që të dëmtohen edhe qytetarët.

“Është krejtësisht e qartë se këtu kemi të bëjmë vetëm e vetëm me qëllime politike, sepse asnjëra palë nuk ka treguar gatishmërinë që të bëjë diçka përtej vijave të kuqe, që ia kanë imponuar vetvetes”, thekson Muhaxhiri.

Sipas tij, vizita dhe thirrjet e zonjës Mogherini, nuk mund të kenë ndonjë ndikim në ndryshimin e gjendjes politike në vend, kur bëhet fjalë për ta çuar përpara marrëveshjen demarkacionit me Malin e Zi.

“Kërkesat e zonjës Mogherini, për fat të keq nuk do të merren parasysh. Kokëfortësia dhe këmbëngulësia injorante e politikanëve tanë do ta pengojë rrugën e Kosovës drejt BE-së, fillimisht me mosliberalizmin e vizave e pastaj edhe në projektet të tjera”, shton Muhaxhiri.

Gjatë procedimit të parë të Ligjit për Demarkacion në Kuvendin e Kosovës , partitë në opozitë patën organizuar kundërshtime në Kuvend dhe në rrugë.

Ata edhe tash kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin të njëjtat veprime për të parandaluar procesin e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi që e konsiderojnë si të dëmshëm për vendin.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht vizitës së zyrtares nga Bashkimi Evropian, qëndrimet e tyre karshi demarkacionit, nuk kanë ndryshuar.

“Ne nuk mendojmë se është e drejtë që një populli t’i kushtëzohet lëvizja e lirë me falje të territorit. Themi falje për shkak se çdo e dhënë shkencore ka konstatuar një gjë të tillë, prandaj nuk ka asnjë ndryshim në situatën ose në aktualitetin e kësaj çështje je pas kësaj vizite. Nuk është se ka diçka sinjifikative të re”, shprehet Çaushi.

Çaushi thotë se përgjegjësia e secilit deputet, si atyre të partive në pushtet ose opozitës, duhet të jetë në mbrojtje të integriteti të vendit.

“Deputetët duhet të jenë dhe unë besoj se do të jenë, të paktën të opozitës, dhe shpresoj edhe të tjerët, në nivelin e detyrës së tyre dhe të marrin qëndrimin e drejtë në përputhje me mandatin që u është dhënë nga qytetarët në mbrojtje të integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thekson Çaushi.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur është fjala për interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndërpartiak dhe të gjejnë rrugën përpara.

Shkrim i Radio Europa e Lirë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img