Site icon PrishtinaPress

A do të lirohen sivjet mërgimtarët nga pagesa e sigurimit kufitar? Ende s’ka marrëveshje

Nuk dihet ende nëse Qeveria e Kosovës do të mbulojë sivjet shpenzimet për pagesën e sigurimit kufitar për mërgimtarët, sikurse ka bërë viteve të kaluara. Një propozim për marrëveshje të re, Ministria e Financave ia ka dërguar Byrosë Kosovare në fillim të këtij muaji. Nga BKS’ja thonë se kanë kërkuar nga ministria që të bëhen disa ndryshime, por se më s’kanë marrë ndonjë përgjigje.

Ende nuk është lidhur marrëveshja mes Ministrisë së Financave dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve, që do të mundësonte që mërgimtarët të mos paguanin për sigurimin kufitar.

Ministria që udhëhiqet nga Hekuran Murati ia kishte dërguar BKS’së një propozim për marrëveshje në javën e parë të këtij muaji.

Drejtori i BKS’së, Sami Mazreku, i ka thënë Gazetës Express se ata ia kanë kthyer këtë draft ministrisë me disa ndryshime, por se më s’kanë marrë përgjigje.

Mazreku thotë se ndryshimet që kanë kërkuar kanë për qëllim zbatimin sa më të lehtë të marrëveshjes, krahasuar me ato të viteve të kaluara.

“Nuk ka më diçka të re. S’ka ndonjë përgjigje. Ne vetëm kemi kërkuar me i bë disa ndryshime prej marrëveshjeve të kaluara, duke i ditë defektet e marrëveshjeve të kaluara, në kuptimin që me qenë me e zbatueshme edhe i kemi përcjellë, i kemi dërguar edhe në BQK, por më nuk ka përgjigje”, ka thënë Mazreku për Express.

Para dy javësh, Mazreku kishte dhënë detaje se çka përfshin propozimi i Ministrisë, duke thënë se sivjet procedura më e lehtë, ashtu që nëse arrihet marrëveshja, mërgimtarët s’do të paguajnë fare në kufi, e jo sikur vitin e kaluar kur fillimisht paguanin polisën e pastaj duhej të aplikonin për rimburësim nga Ministria e Financave.

“Kemi marrë një propozim prapë prej Ministrisë së Financave për me lidh marrëveshje. Ne jemi duke diskutuar mrena BQK’së, brenda BKS’së edhe Ministrisë së Financave se qysh ka me qenë marrëveshja e re mes neve dhe Qeverisë.  Qeveria pra ka bërë kërkesë te BKS’ja për marrëveshje të re dhe për momentin jemi në diskutime se çfarë formati do të jetë drafti i marrëveshjes, kur fillon implementimi, me çfarë date. Çka është kërkesa është që bashkatdhetarët, normal për dy kategori vetura dhe pasagjerë, veç me marr polisën edhe me ec, mos me u marr me pagesa”, ka thënë Mazreku për Express.

Një marrëveshje e njëjtë ishte bërë edhe në vitin 2020 dhe 2021.

“Nëse bëhet marrëveshja, mërgimtarët nuk kanë nevojë me pagu, veç kanë me hy në kufi e me ec. Marrëveshja pritet të jetë sikur ajo që ka qenë në vitin 2020 dhe 2021”, ka thënë Mazreku.

Ndryshe, meqë nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, sigurimi i veturave që lëshohet në Kosovë, nuk vlen për vendet tjera. Po ashtu, veturat që hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë sigurim shtesë, pavarësisht nëse kanë ose jo Kartonin e Gjelbër.

Tarifa e sigurimit që paguhet në kufi, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura me tabela të huaja, duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove. Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe kamionë mbi një ton.

Exit mobile version