Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sot ka mbajtur një takim me gazetarë ku u pyet për një numër çështjesh.
Ndër të tjera, Hovenier mori një pyetje edhe për disa kërkesa opozitare së fundi që të shkohet në zgjedhje të reja.
“A i shihni si të mundshme zgjedhjet e përgjithshme në një të ardhme të afërt?”, ishte pyetja që iu bë Hovenierit.
Por, për këtë çështje Hovenier tha se është i fundit që mund të flasë meqë s’është votues i Kosovës.
“Kjo është vërtetë një pyetje e mirë që do ta bëja ty si një votues dhe qytetar i Kosovës sepse jam personi i fundit të flas për këtë. Nuk kam të drejtë vote në Kosovë, sepse s’janë përfaqësuesit e mi të zgjedhur, por tuajit. Është e vështirë për mua të spekuloj. Ju keni Kushtetutën e cila ka një numër mënyrash se si qeveritë mund të zëvendësohen ose të planifikohen zgjedhje të reja. Por, është e vështirë për mua t’ju them juve se kur ato mekanizma përdoren ose jo. Çfarë mendoni ju, a prisni zgjedhje në muajt e ardhshëm?”, ishte përgjigjja e Hovenierit.
Në këtë takim, Hovenier foli edhe për raportet Kosovë-SHBA.
Ai tha se shteti i tij ka synime strategjike sa i përket Kosovës dhe askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje përkushtimin e SHBA-së për popullin e Kosovës dhe Kosovën.
Hovenier tha se s’është befasi se kanë pasë dallime me Qeverinë e Kurtit për atë se si duhet të ndodhnin disa gjëra. Këtu ai iu referua tensioneve të fundit në veri të vendit me vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
“Ne kemi qenë kritikë dhe kemi konsideruar se s’ka qenë e nevojshme dhe kemi kërkuar që kryetarët të punojnë nga lokacione alternative”, ka thënë ai.
Diplomati amerikan ka thënë se situata e raporteve SHBA-Kosovë është mikse meqë për disa çështje kanë bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Kurti dhe për disa çështje kanë dallime. Por, ai potencon se SHBA respekton të drejtën e Kurtit për t’i bërë zgjedhjet e tij dhe atë se çfarë mendon se është më e mira për Kosovën.