Site icon PrishtinaPress

A do të ketë zbatim të marrëveshjeve nga dialogu Kosovë-Serbi: Flasin pushtet e opozitë

Përkundër përpjekjeve të shtuara së fundmi nga euro-amerikanët, ka pak shpresë se gjatë këtij viti do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pozitë dhe opozitë janë skeptike për një gjë të tillë, derisa e fajësojnë Serbinë për qasje destruktive. Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut, akuzojnë Bashkimin Evropian si ndërmjetës të dialogut se nuk kanë mekanizma të duhur për të vendosur në binarë dialogun.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se pa pasur një nënshkrim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, po ashtu edhe të planit të sekuencimit nuk mund të ketë zbatim të tyre.

Skeptik është edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili thotë se negociatat për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve mund të vazhdojnë gjatë, deri pas themelimit të qeverisë së re në Serbi. Megjithatë, ai e vë në mëdyshje edhe pranimin real të kryeministrit Kurti të propozimit euro-amerikan për draftin e Asociacionit, duke thënë se edhe në Kosovë mund të ketë zgjedhje të reja.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se ngecja dhe pasiguria për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është për shkak se Serbia nuk është e interesuar të zbatojë asgjë në atë ujdi, përveç Asociacionit.

Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët vetëm e akuzojnë njëra-tjetrën, pasi BE-ja nuk po ka mekanizma për t’i detyruar të zbatojë ujdinë e dakorduar.

Ai thotë se as themelimi i Asociacionit nuk beson se do të ndodh, përkundër që kryeministri Kurti ka thënë se e pranon draftin e emisarëve euro-amerikanë për të njëjtin.

Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.

Drafti nga institucionet kosovare nuk është publikuar ende, megjithatë, një të tillë e ka publikuar ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët

Gjatë kësaj jave shqetësime për draftin e Asociacionit ngriti edhe presidentja e Kosovës, e cila tha se janë dy-tri elemente që kanë dykuptimësi dhe që duhen sqaruar.

Exit mobile version