Gazetari gjerman i “Frankurter Algemeine Zeitung”, Michael Martens pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Gjermani dhe fjalimit të tij në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës ka shtuar pyetjen nëse Kosova do të bëhet vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesën për qytetarët e së njëjtës gjini.
Martens në një postim në platformën X shkruan se kështu së paku ka bërë të ditur Kurti gjatë vizitës në Berlin.
“A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do t’u ofrojë qytetarëve të saj të drejtën e bashkimit civil të të njëjtës gjini? Kështu duket. Kështu së paku ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Berlin. Çfarë do të thotë kjo? Një lëmsh”, shkruan Martens.
Ndryshe, mediat në Kosovës raportojnë se Kurti gjatë fjalimit të tij në Bundestagun gjerman për shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës të organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD), tha se po punohet që në një të ardhme shumë të afërt ta kalojnë Kodin Civil në të cilin përfshihet dispozita për bashkimin civil të të njëjtit seks.
“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, citohet të ketë thënë Kurti, duke shtuar se Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.