Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është pyetur sot nga gazetarët nëse do të japin dorëheqje kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, që janë nga kjo parti.
Ai tha se nuk mund të përgjigjet me “po” ose “jo”.
Tahiri deklaroi se më e rëndësishmja është që të mos cenohet kushtetushmëria derisa shtoi se më pak të rëndësishme janë modalitetet se si duhet të zgjedhen.
“Qëndrimi i PDK-së është që të kemi një angazhim të përbashkët sidomos me SHBA-në sa i përket problemeve që i kemi pas në Veri. Është e dhimbshme dhe e papranueshme që të na bien sanksione, të përjashtohet ushtria e Kosovës nga Defender 2023 si rezultat e veprimeve të pamatshme të kryeministrit të Kosovës dhe secilit veprim që ndërmarrin institucionet tona është e rëndësishme që të jetë në përputhje të plotë me rendin tonë kushtetues. Nëse krijohen precedentë të rrezikshëm që e tejkalojnë rendin kushtetues, atëherë mendoj që po e cenojmë në thelb shtetësinë e vendit tonë… Nuk mund të them po jo, është e rëndësishme që çdo veprim që ndërmerret nga institucionet tona të jetë në përputhje me rendin kushtetues, nuk duhet të cenohet kushtetueshmëria sepse cenohet në thelb pavarësia e vendit tonë, kjo është e rëndësishme pastaj modalitetet se si duhet të zgjedhen se si duhet të ecin, janë më pak të rëndësishme.”