Site icon PrishtinaPress

A do të dështojë sivjet prodhimtaria e grurit në Kosovë?

Ka shumë gjasë që sivjet të dështojnë në përmasa të ndjeshme parashikimet për prodhimtarinë e grurit në Kosovë.

Të gjitha parakushtet për të qenë një verë me më pak bereqet në agrarin e vendit, dhe për t’u mos u arritur sivjet edhe rendimentet e rëndomta, ato që në arat e bujqëve kosovarë (3,500 deri në 4, 000 e 4,500 kilogramë për një hektarë) në këto vitet e fundit janë arritur në të shumtën e viteve, e kanë përcjellë në të shumtën e kohës procesin e rritjës së së kulturave të drithërave.

Moti, në radhë të parë ishte përcaktuesi qenësor që do të ndikojë në rendimentet e të të gjitha drithërave që kanë kultivuar bujqit e vendit, e sidomos ndikim të madh moti do të ketë te pritshmëritë e sasisë së grurit.

Kosova, dihet tashmë, gjithmonë e ka planifikuar si parësor kultivimin e grurit, dhe për këtë kulturë përcaktuese për sigurimin e konsiderueshëm të bukës me vite të tëra janë mbjellë nga 60, 70 e deri në 80 mijë hektarë. Edhe sivjet, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në agrarin e vendit kanë qenë të mbjella diku rreth 70 mijë hektarë. Kjo sipërfaqe, po të realizoheshin rendimentet që rëndom me vite korren në arat tona, do të sigurohej diku mbi gjysma e nevojave të vendit për bukë.

Por, moti me shumë të reshura gjatë tërë pranverës, dhe tani së fundmi edhe gjatë qershorit dhe dhjetë ditëshit të parë të korrikut, gjithsesi do ta merr ‘haraqin’ në arat tona. Aq më shumë, kur dihet se goxha shumë është duke u vonuar fushata e korrje –shirjeve, pikërisht për shkak të motit, reshjeve të shumta, lagështisë së pashembullt dhe goxha nivelin optimal, përkatësisht lagështia e grurit sillet ndërmjet 12 e 13%.

Në fakt, procesi i korrje-shirjeve ende nuk ka filluar në shumicën e rajoneve të Kosovës, ndonëse jemi në javën e dytë të korrikut, ose ka filluar vetëm kah rreth i Prizrenit, Suharekës dhe në disa vise, aty-këtu të Dukagjinit. Në viset e tjera të vendit ende janë në pritje të “tharjes’ së grunajave. Prandaj, Ministria e Bujqësisë u ka bërë thirrje bujqve që para se ta fillojnë procesin eventual të korrje-shirjeve, domosdoshmërisht të konsultohen me ekspertë.

Sido që të jetë, pos bujqve, rreth vonesës së procesit të korrje-shirjeve dhe mundësive për rendimente më të ulëta të kësaj kulture me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e shumicës së kosovarëve, shqetësimet e tyre shpërfaqin edhe ekspertët bujqësorë dhe profesionistët që njohin rrethanat aktuale në agrarian e vendit.

“Rendimentet e grurit pritet të jenë më të ulëta këtë vit në Kosovë, krahasuar me vitin e kaluar”, janë të prerë ekspertët në paralajmërimet e tyre.

“Nuk mund të presim një prodhimtari më të lartë të grurit në raport me vitin e kaluar, duke e pasur parasysh ndikimin e motit të ftohtë që ishte. Ne sivjet e patëm një vit karakteristik klimatik thënë figurativisht “vit pa pranverë”. Prandaj, edhe këtë vit do të karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor, pasi reshjet e muajit mars, prill, maj dhe qershor atakuan shumë ngastra kultivuese të grurit me sëmundje të ndryshme si: ndryshku, bloza, barërat e këqija”, deklarohet për medie profesori universitar Imer Rusinovci.

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se temperaturat e ulëta dhe reshjet e shumta të shiut, ndikuan negativisht në zhvillimin e grurit. Por, sipas tyre, edhe këtë vit pritet që rendimenti mesatar i grurit të jetë brenda mesatares që është ndër vite në vendin tonë.

Sipas të dhënave që vijnë nga Ministria e Bujqësisë, “fillimisht gjendja e grunajave ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut janë paraqitur “ndryshku i grurit” dhe zhvillimi i hovshëm i barojave të këqija, çka kanë ndikuar që gjendja e grunajave të përkeqësohet, e në mënyrë direkte do të ketë ndikim edhe në arritjen e rendimentit mesatar”.

Sipas bujqve, kultivues të njohur të grurit, vite më parë korrje-shirjet tashmë do të duhej të ishin gjysmë të përfunduara, por që kjo ka ndryshuar këtë vit.

“Ngjyra e shumë grunajave dhe dëmtimi në disa pjesë tregon për gjendjen e kësaj kulture bujqësore, thonë bujqit.

Sipas tyre, dëmi si pasojë e të reshurave të shumta në grunaja është evident, dhe vërehet që në pamje të parë.

“Sigurisht e ka pi pak ujin, kështu ma i zi po doket po me rrëzua ende se ka rrëzu, ende i verdhë është në disa pjesë”, ka thënë për medie një bujk nga rajoni i Lipjanit.

Ndërsa Ministria e Bujqësisë, ditë më parë, apelonte te bujqit “që të mos fillojnë korrjet para pjekjes së plotë të grurit, në mënyrë që të mos kenë humbje të grurit e ulje të rendimentit mesatar, por edhe janë paralajmëruar se pikat grumbulluese, nuk do të pranojnë grurë nëse lagështia është mbi normat optimale”. Por kultivuesit e mëdhenjë të grurit vazhdojnë të jetojnë me ankthin dhe me dilemën; “të presin, apo të fusin autokombajnat në arat e tyre, një orë e më parë”. /Buletini Ekonomi

Exit mobile version