Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje është diskutuar për ndarjen e buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se Këshilli për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar buxhetin që nevojitet për këto zgjedhje, përcjell Telegrafi.
“Ne dje kemi marrë dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen me 6 tetor. Këshilli për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar buxhetin për këto zgjedhje. Ne si KQZ do ta dërgojme kërkesën në institucione dhe presim që buxheti i kërkuar të alokohet në xhirollogarinë tonë. Ne organizojmë zgjedhje kur kemi para, nëse nuk kemi para ne i zhvillojmë procedurat deri ku na mundësohet ligjërisht”, ka thënë ajo, transmeton Telegrafi.
Kryetari i Këshillit për Buxhet dhe Financa, Ilir Gashi ka thënë se rreth 6 milionë euro nevojiten për zgjedhje.
“Buxheti që na duhet për zgjedhjet e jashtëzakonshme kalon mbi 5 milionë e 698 mijë euro. Është rrjedhë e projeksioneve që kanë bërë njësitë kërkuese të KQZ-së, ku këtu hyjnë të gjitha gjërat për të realizuar një proces zgjedhor siç duhet, duke përfshirë materiale, furnizime, trupa zgjedhore, staf të përkohshëm. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit për faktin se kësaj radhe është konsideruar e nevojshme edhe rritja e pagesave për trajner, kryesues dhe anëtar të këshillit të vendvotimeve, sepse është menduar të ndiqet edhe trendi i rritjes së pagave që ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai duke shtuar që kjo çështje duhet trajtuar sa më shpejt.
“Institucionet duhet të mos na vonojnë në ndarjen e buxhetit sepse jemi në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe na pengon në të gjitha proceset për ta kryer punën tonë”, ka thënë ai.
Kryeshefi i KQZ-së, Enis Halimi ka thënë se asnjë procedurë nuk mund të kryhet pa alokim të buxhetit.
“Është shqetësuese sepse sot miratohet buxheti tek ne, ndërsa ne nuk mund të miratojmë asnjë procedurë që ka të bëjë me furnizime me qëllim të organizimit të procesit zgjedhor. Pa u alokuar buxheti dhe pa u bë i qasshëm ne nuk mund të bëjmë asgjë. Është e kot të merret vendimi sot, derisa nuk bëhet buxheti i qasshëm. Nuk mund të futemi në marrëdhënie kontraktuale për të siguruar materiale zgjedhore sepse nuk kemi alokim të buxhetit. Teknikisht është e pamundshme të bëjmë procedimet tona”, ka thënë ai.