Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth zgjedhjeve të parakohshme dhe koalicioneve të mundshme parazgjedhore, pas shpërndarjes së Kuvendit.
Ai para mediave ka thënë se pas koalicionit me PSD-në, është i hapur për bashkëpunim edhe për Nismën dhe AKR-në, transmeton Telegrafi.
“Aleanca është e përcaktuar për konceptin 100 për qind shtet sepse gjatë qeverisjes i kemi qëndruar besnik kësaj, në këtë koncept për një barazi e drejtësi sociale, jemi bashkuar me PSN-në.Tani Jemi të hapur për Nismën dhe AKR-në për bashkëpunim, nëse këto parti kanë vullnet”, deklaroi Haradinaj.
Ndryshe para disa ditësh AAK ka lidhur koalicion parazgjedhor me PSD-në. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe ai i PSD-së, Shpend Ahmeti kanë thënë se janë pretendentët kryesor për t’i fituar zgjedhjet.
Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet këtyre dy partive, bartës i listës në zgjedhjet e parakohshme do të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa pas tij do të radhitet lideri i PSD-së, Shpend Ahmeti.
Partia Socialdemokrate në listën e përbashkët zgjedhore me AAK-në, do t’i ketë 25 vende.
Ndërkohë sot më 89 vota për , 1 kundër dhe 2 abstenime, deputet e Kuvendit të Kosovës vendosën për shpërndarjen e VI të legjislaturës së Kuvendit.
Nga tash vendi edhe zyrtarisht ka shkuar në zgjedhje të parakohshme të cilat duhet të shpallen nga presidenti Hashim Thaçi. /Telegrafi/