Shtetet e Quint-it në një deklaratë të përbashkët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rifillojnë sa më parë dialogun në mënyrë që të arrijnë një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.
Burim Ramadani nga AAK në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se dialogu duhet të filloj i pakushtëzuar.
“Për Aleancën është e qartë se dialogu për njohje duhet të fillojë si i pakushtëzuar dhe me intensitet të duhur për përmbylljen e procesit. Sigurisht që kushtëzimi që ka bërë Serbia këtij procesi ka qenë dhe është i papranueshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij Serbia është orientuar kah armatosja nga Rusia, jo për dialog.
“Kjo dëshmon se elita politike në Serbi nuk është e gatshme për dialogun e mirëfilltë për njohje, porse është orientuar kah armatosja nga Rusia”, ka theksuar ai.
Ndryshe në deklaratën e përbashkët të shteteve të Quint-it thuhet se ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë. Ato kanë kërkuar nga të dy dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e që për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë, ndërsa për Serbinë, ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.