Ilmi Tahiri ka dhjetë muaj që është angazhuar si punëtor teknik në shkollën “Xheladin Rekaliu” këtu në Podujevë.
Por, ai që nga 30 korriku po punon deri në 17 orë pasi i duhet të ruajë objektin e shkollës edhe gjatë natës, raporton KTV.
Kjo e ka indinjuar Tahirin, pasi thotë se është në kundërshtim me kontratën që e ka nënshkruar me shkollën.
Tahiri thotë se gjatë këtyre ditëve pati edhe probleme shëndetësore si pasojë e orarit të gjatë.
Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka sugjeruar që për këtë të flasë vetëm drejtori i shkollës, që sipas tyre është edhe përgjegjës.
Përmes një përgjigjeje me shkrim drejtori Liridon Mulliqi ka thënë se orari i pushimit vjetor për stafin teknik dhe rojet e natës është caktuar në marrëveshje me punëtorët bazuar në ligjin e punës.
“Për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të stafit teknik disa prej punëtoreve iu është kërkuar të angazhohen edhe jashtë orarit të punës me qellim të ruajtjes së objektit të shkollës nga dëmtimet apo thyerjet eventuale gjithnjë në marrëveshje me të gjithë. Z.Ilmi nuk ka pranuar të bëjë zëvendësim natën për arsye personale dhe ka kërkuar që të vendoset vetëm në kujdestari të ditës dhe ne kemi aprovuar kërkesën e tij”, ka thënë Mulliqi për KTV-në.
Mulliqi ka shtuar se kujdestaria ditore për stafin teknik gjatë pushimit të verës është detyrë e punëtorëve në të gjitha shkollat dhe se nuk mund të bëjnë dallime ndaj punëtorëve të tjerë.