2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Apeli vërteton dënimet me gjobë ndaj Dardan Gashit, Endrit Shalës, Sami Lushtakut e të tjerëve – për gjuajtjen me armë në odën e Fatmir Limajt

Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë, zëvendëskryeministrit në largim, Dardan Gashi, ministrit në largim të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerëve, që akuzohen për gjuajtjet me armë në odën e zëvendëskryeministrit në largim Fatmir Limajt në Malishevë.

Kështu, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e cila kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë, duke kërkuar dënime më të larta ndaj të akuzuarve, me të cilat dënime sipas prokurorisë do të arrihej qëllimi i dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, të akuzuarit, nuk kishin ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, më 1 mars 2019, të akuzuarit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi i kishte shpallur fajtor për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ministri në largim i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi është dënuar me 1700 euro gjobë.

Kurse, ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala është dënuar me 2400 euro gjobë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku është dënuar me 1700 euro gjobë.

Me nga 1700 euro gjobë janë dënuar edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri si dhe Sherif Krasniqi.

Mirëpo, sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dënimet e shqiptuara janë të buta, bazuar në neni 374 të Kodit Penal, paragrafi 1, i cili parasheh se “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.

Tutje, në ankesën e prokurorisë thuhet se gjykata është dashur të ketë pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, pasi që të akuzuarit kanë kryer veprën penale në vend publik dhe kanë mundur që të rrezikojnë edhe persona që gjendeshin në atë hapësirë ku ka ndodhur rasti, për çka sipas prokurorisë dënimi i shqiptuar nuk i është përgjigjur rrezikshmërisë shoqërore dhe vlerës së mbrojtur.

Por, të gjitha këto pretendime të Prokurorisë Themelore në Gjakovë i ka hedhur poshtë si të pabazuara Gjykata e Apelit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img