Në lidhje me raportimet e sotme në media për dorëheqje të Agim Bahtirit nga AKR-ja, ai ka dhënë një prononcim ku është deklaruar për hapat e mëtutjeshëm që do t’i ndërmarrë për të ardhmen e tij politike.
Ai thotë se vendimin përfundimtar për largimin e tij nga AKR-ja do ta marrë pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie në Mitrovicë.
“Vendimin përfundimtar zyrtarisht do ta merrni pas takimit që do ta kem me Kryesinë e gjerë të AKR-së në Mitrovicë. Këtë mbledhje e kam caktuar për të martën në ora 16:00”, ka thënë Bahtiri për Veriu.info.
Më herët gjatë ditës, Bahtiri tha për Ballkani.info se ai nuk është më pjesë e AKR-së dhe se nuk i interesojnë zgjedhjet.
Ndryshe, Agim Bahtiri si njeriu i dytë më i fuqishëm në AKR, ka fituar dy herë radhazi zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës duke mposhtur PDK-në, gjë të cilën kandidatët e AKR-së nuk kanë mundur ta bëjnë në asnjë komunë të Kosovës.