12.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Komisioni për Arsim kërkon të ruhet pavarësia e KShC-së

Komisioni për Arsim sot ka miratuar katër rekomandime lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që ua pamundëson universiteteve publike të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës të regjistrojnë studentë të ri për vitin e ri akademik, ku në pikën e parë kërkohet ruajtja e pavarësisë së institucioneve të pavarura.

Deputetët janë pajtuar gjithashtu që nëse kanë argumente për shkelje institucionet e pakënaqura të ankohen, Qeveria t’i ndihmojë universitetet publike që ato të plotësojnë kriteret e kërkuara derisa në pikën e katërt shprehen kundër deklaratave politike të zyrtarëve të lartë lidhur me vendimin e KShC-së.

Ndaj këtyre katër pikave kanë abstenuar deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu dhe ajo e PDK-së Luljeta Veselaj-Gutaj, të cilat kanë qenë kundër pikës së katërt.

Një debat është zhvilluar mes deputetes së AAK-së Teuta Haxhiu dhe asaj të LDK-së Valentina Bunjaku, e cila ka kundërshtuar kërkesën e Haxhiut që në komision të ftohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe rektorët e universiteteve publike dhe ata të kolegjeve.

“Komisioni nuk po pranon t’i thërrasë akterët kryesorë, nuk po pranoni, nuk po keni durim. Bunjaku: Jo durim, po nuk po duam të ndërhyjmë. Haxhiu: Jo nuk ndërhynë, i kemi thirrur edhe më herët, me i dëgjua argumentet e institucioneve nuk është ndërhyrje, e ki përgjegjësi”.

Deputetja Haxhiu, në arsyetimin e saj pse duhet të ftohen për raportim tha se nga rektorët ka marrë të dhëna se ka shkelje në vendimin e KShC-së dhe ato duhet të diskutohen.

“Këta flasin për shumë shkelje, po a janë unë nuk jam për t’i vlerësuar, është një shkallë tjetër. Unë kam kërkuar me email iu kam drejtuar secilit prej kolegëve me qenë në këtë takim me qenë edhe rektorët këtu. Unë kërkoj prej juve me i thirr rektorët edhe anëtarët e Këshillit, të paktën nuk marrim, ne nuk vendosim, e kemi obligim t’i dëgjojmë”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të komisionit kishin qenë të ftuar për raportim kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Arsimit Shyqiri Bytyqi, por asnjëherë prej tyre nuk i janë përgjigjur ftesës.

Kryetari i këtij komisioni Ismail Kurteshi, u shpreh se deklaratat politike rreth këtij rasti e dëmtojnë të gjithë procesin.

“Ne të gjithë e dimë se KShC është një institucion i pavarur profesional, i cili edhe ka të drejtë edhe e ka për obligim të marrë vendime brenda fushëveprimit të vet bazuar në legjislacionin në fuqi. Sa herë që ai merr vendime bazuar në legjislacion, i arsyeton ato bazuar në kritere dhe procedura. Ne, meqë jemi edhe themelues, duhet t’i respektojmë vendimet e tyre. Sa herë që ne konstatojmë se Këshilli i ka tejkaluar kompetencat ose nuk e ka respektuar ligjin, ekzistojnë mënyra se si mund të kontestohet një gjë e tillë përmes gjykatave. Unë mendoj që deklaratat politike që kanë ndodhur nga kushdo qofshin në lidhje me këtë proces, këto vendime e dëmtojnë procesin në përgjithësi, i dëmtojnë përpjekjet për ngritje të cilësisë në arsim dhe sidomos i dëmtojnë përpjekjet tona për t’u kthyer në institucionet evropiane për cilësi, e që aktualisht e kemi humbur cilësinë e të qenit anëtar”, tha ai.

Ndërsa deputetja Veselaj Gutaj tha se mbyllja e universiteteve nuk është zgjidhje, teksa ka ngritur dyshime se një nga anëtarët e grupit të ekspertëve nuk ka pasur kualifikimin e duhur kur ka bërë raportin për universitetet.

“Unë nuk i kam pa raportet e KShC-së, por kam lexuar nëpër media dhe kam pa letra të hapura, të cilat iu kanë drejtuar institucioneve shtetërore, duke filluar prej Presidencës, Kuvendit e shumë institucioneve tjera, kë thuhet se me këtë vendim dhe me këtë vlerësim pa pasur një konsensus mes të ekipit të ekspertëve, në mesin e tyre ekspertëve, është edhe një zonjë, e cila nuk i plotëson kushtet që quhet Anca Prisacariu në cilësinë e ekspertes, sipas nenit 13 të udhëzimit administrativ 15/2018 për Agjencionin e Akreditimit. Është shqetësim apo mbi bazën e dyshimeve të cilat shihen është shqetësuese nëse ne kemi pasur një eksperte e cila nuk i ka plotësuar kushtet. Dy ekspertë të tjerë kanë votuar pro akreditimi të programeve në këto universitete… Për mua është shumë shqetësuese që në prag të regjistrimit të shumë të rinjve në këto universitete, të cilët nuk kanë mundësi që të vijnë në Prishtinë, at a mbeten me një ëndërr që kanë dashur të regjistrohen, do të thotë iu është shuar ëndrra”, u shpreh ajo.

Por, deputetja e Vetëvendosjes  Arbërie Nagafci, tha se rekomandimet që janë dhënë jepen në bazë të standardeve të cilat janë qartë të përcaktuara.

Ajo ka dhënë një shpjegim edhe sa i përket përzgjedhjes së ekspertes.

“Kjo e tregon veçse një situatë reale për të cilën në një farë mënyre kemi qenë të njohur të gjithë, e për të cilin vetë institucionet e kanë ditur se si është gjendja reale, sepse vendimi i ekspertëve ka ardhur pas vetëvlerësimit që e kanë bërë vetë institucionet. Rekomandimet jepen në bazë të standardeve, të cilat janë qartë të përcaktuara. Pra, unë mendoj dhe jam bukur e sigurt se nuk është një vlerësim i lirë i  ekspertes në këtë rast, por është një rekomandim i dhënë në bazë të plotësimit ose jo të standardeve. Sa i përket çështjes së ekspertes, e cila po përmendet, duhet ta kemi të qartë se ajo është njëra nga lista e ekspertëve të ENQA-së. Pra, nuk është një eksperte që është angazhuar. Ajo është në një listë bashkë me kolegët e saj dhe drejtori i agjencionit ka rekomanduar listën që më pastaj KShC e ka përzgjedhur tre nga lista, të cilat janë persona që i plotësojnë kriteret”, deklaroi ajo.

Deputeti i PSD-së Driton Çaushi, u shpreh se nuk ka parë që KShC ka pasur ndonjë shkelje në vendimin e tij.

“Ne, sidomos, nuk mund të nxjerrim gjykime të tilla nëse duhen të mbyllen ose gjithsesi duhet të mbeten kështu si janë, kur e dimë se të gjitha këto universitete të pasluftës kanë qenë fushatë elektorale, le të tregon dikush nëse ka pasur ndonjë studim fizibiliteti, një hulumtim, që i ka paraprirë hapjes së njërit nga këto gjashtë universitete. Natyrisht, që nuk ka profilizime. Ne e kemi një Fakultet të Shkencave Matematiko-Natyrore në Prishtinë, sa herë bie shi ai fakultet përmbytet. Ndërkohë, i kemi pesë fakultete të ekonomisë, pesë fakultete juridike, në bazë të cilës nevojë, cilit hulumtim, vetëm në bazë të dëshirës për të përfituar elektorat në kohë zgjedhjesh. Kjo nuk nënkupton që asnjëri prej nesh mund ta ketë zgjidhjen aktuale, por ajo që neve na takon është që të mbrojmë autonominë e një institucioni derisa ai nuk i shkel ligjet. Kjo na është dëshmuar deri tani që ka qenë gjithçka në rregul l”, tha ai.

Çaushi tha se me deklarata po dëmtohet pavarësia e KShC-së, ku në mbledhjen e fundit kanë dëgjuar shprehjet ‘mafioz e matrapaz’, por që thotë se nuk kanë parë asnjë shkelje në vendimin e Këshillit.

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, tha se politika duhet të qëndrojë larg KShC-së.

“Secilit prej neve nuk i ka ardhur mirë mos akreditimi i këtyre universiteteve, sepse unë besoj që nuk kemi nevojë secili të qajmë me lot krokodili se sa i duam të rinjtë dhe të rejat, se jemi të barabartë këtu që i duam. Sinqerisht, më ka ardhur shumë keq, por më nder të madh i bënë një të riut mos të akreditohet një program dhe për t’i vazhduar studimet në Prishtinë apo në universitet tjetër, sesa të dalin kuadro jo profesionale”, tha ajo.

Komisioni për Arsim edhe javën e kaluar kishte pasur një mbledhje me temën e njëjtë, por që kishte dështuar për mungesë të kuorumit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img