Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas pranimit të një informate ka filluar hetimet rreth dyshimit të përfshirjes së një të dyshuari në veprimtari penale.
I dyshuari M.Z. viti i lindjes 1962, m.k.sh., nga Malisheva, duke ushtruar profesionin e ‘mjekut popullor’, nga ankuesja femër, që nga viti 2016 deri më tani ka përvetësuar një shumë rreth gjashtë mijë (6.000) euro si shpërblim për gjoja ofrimin e shërbimeve mjekësore ndaj saj. I dyshuari paraqitej se shëronte sëmundje të ndryshme (shërim shpirtëror, rregullim të problemeve familjare etj).
I dyshuari, pas një kohe, duke shfrytëzuar të dhënat e mësuara nga ankuesja gjatë ‘’seancave për shërim”, i mbështetur edhe nga bashkëshortja e tij, kishte filluar ta shantazhojë dhe ta kërcënojë ankuesen se do t’ia shkatërronte familjen nëse nuk i sjell një shumë prej tridhjetë mijë (30.000) euro.
Policia, ka kërkuar nga gjykata leje për kontroll të cilën e ka siguruar dhe e njëjta është realizuar sot, më 19.07.2019, ku është kontrolluar lokali ku ka ushtruar ‘profesionin’ dhe shtëpia e të dyshuarit në Malishevë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore. Po ashtu policia ka siguruar të dhëna se i dyshuari ka zhvilluar edhe aktivitet të veterinarisë.
Me aktvendim të prokurorit të rastit, i dyshuari ndalohen për 48 orë në mbajtje.
Policia, referuar të gjeturave gjatë realizimit të urdhër-kontrollit, beson se viktima të mashtrimit mund të jenë edhe një numër i konsiderueshëm i qytetareve, andaj apelon tek qytetarët që të kenë kujdes ndaj këtyre formave të mashtrimeve dhe po ashtu nëse ka viktima të tjera të kësaj natyre të lajmërojnë policinë, konkretisht DHKEK.