6.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Universitetet e reja publike po përballen me mungesë buxheti dhe kuadri

Konferenca e rektorëve të universiteteve publike në Kosovë do të mblidhet më 27 shtator për t’i koordinuar veprimet mes këtyre universiteteve.
Kryesuesi i konferencës së rektorëve, Marjan Dema, në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për synimet e kësaj konference, për rolin e saj dhe punët që janë bërë në konsolidimin e këtij organi.
Rektori Dema ka bërë me dije se konferenca e rektorëve ka arritur të konsolidohet në masë të kënaqshme.

“Mendoj se kjo trupë e krijuar për herë të parë në Kosovë është konsoliduar në masë të kënaqshme dhe frytet e bashkëpunimit tanimë janë evidente”, ka theksuar Dema, duke shtuar se universitetet publike këtë vit i kanë harmonizuar propozimet dhe kriteret për pranim.
Ai ka thënë se janë duke i shqyrtuar mundësitë e shkëmbimit të personelit akademik për angazhim me honorar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (IPAL).
Dema ka thënë se aktualisht universitetet e reja po përballen me mungesë të theksuar të kuadrit të cilët i plotësojnë kushtet statutare për ligjërim në programe përkatëse.
“Në këtë drejtim UP-ja ka shprehur gatishmërinë për t’i përkrahur të gjitha universitetet e reja duke bërë marrëveshje mirëkuptimi me secilin universitet, duke i lejuar personelit të tyre që brenda një dite në javë të angazhohen edhe në universitetet e reja”, ka treguar ai. Gjithashtu, disa nga universitetet e reja ballafaqohen me mungesë të duhur të infrastrukturës dhe mungesë të theksuar të buxhetit por, sipas Demës, këta janë hapat e parë pas themelimit të tyre.

Ai beson se në një të afërme edhe këto mungesa do të reduktohen dhe do t’i takojnë së shkuarës.
“Në mbledhjen e fundit, e cila është mbajtur në fund të muajit qershor, e kemi diskutuar edhe këtë problem, pra mungesën e theksuar të buxhetit nëpër universitetet e reja e, po ashtu, edhe në UP. Kjo çështje nga rektorët e universiteteve të reja është diskutuar edhe me ministrin e Arsimit dhe të atë të Financave. Ministria e Financave, me rastin e rishikimit të buxhetit nga UP-ja, ka shkurtuar buxhetin për 400 000 euro, nga të cilat 50 000 euro i janë ndarë UPZ-së”, ka thënë rektori Dema.
Ai ka bërë me dije se synim i konferencës së rektorëve është ngritja e cilësisë në arsimin e lartë, dhënia e rekomandimeve për MASHT-in në kuptim të implementimit të praktikave të mira në IPAL.
“Natyrisht në një të ardhme të afërt, synojmë të jemi anëtarë me të drejta të plota të Kartës së Bolonjës. Ndërsa roli i saj është i përcaktuar me UA të nënshkruar nga ministri i arsimit”, është shprehur rektori Dema.
Ai ka theksuar se roli i konferencës së rektorëve është bashkëpunimi me institucionet relevante në orientimin e politikave programore në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, në respektim të rolit dhe përgjegjësive të AKA-së.
“Konferenca e rektorëve angazhohet në përmbushjen e përgjegjësive të anëtarëve të saj, në fushën e mësimdhënies, rezultatit të studentëve, mobiliteteve, hulumtimeve, promovimit të hulumtuesve dhe shkencëtarëve të rinj, teknologjisë dhe shkëmbimit të përvojave”, ka shtuar Dema.
Po sipas tij, konferenca e rektorëve do t’u rekomandojë institucioneve relevante në çështjet e planifikimit, koordinimit dhe harmonizimit të planit buxhetor. Rol tjetër i kësaj konference është edhe koordinimi me institucionet relevante për caktimin e kritereve për formulën e financimit të IPAL-së në bazë të performancës së treguar.
Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka thënë se konferenca e rektorëve do ta bëjë koordinimin me institucionet relevante për krijimin e skemave të bursave studimore për studentët në të gjitha nivelet e studimit në arsimin e lartë dhe propozon tarifat e pagesave të shkollimit të studentëve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img