Nis patrullimi i përbashkët Kosovë-Shqipëri

86
Advertisement

Që nga sot ka filluar patrullimi i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe asaj shqiptare me rastin e sezonit veror në Shqipëri.

Advertisement

Anipse turni i parë i zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, gjegjësisht të Njësive Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) dhe Njësisë për Kontroll të Autostradave (NJKA), kanë udhëtuar sot për në Republikën e Shqipërisë, bëhet e ditur se këta të fundit nuk do të mund të vendosin gjoba për qytetarët.

Në një konferencë të përbashkët për media të Policisë së Kosovës dhe Policisë Shqiptare, u tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem, pasi do të zbatohen procedurat standarde dhe se edhe ashtu nuk kanë për qëllim vendosjen e gjobave, por rritjen e sigurisë në rrugë.

Zëvendësdrejtori i Policisë Rrugore të Shqipërisë, njëherësh shef i sektorit të sigurisë rrugore, Skender Ismaili bëri të ditur se ndryshe nga vitet tjera, këtë sezon, patrullimi i përbashkët do të realizohet edhe në pjesën Jugore të Shqipërisë.

“Ne fillojmë patrullimin e përbashkët në gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë. Ndryshe nga herët tjera, ne e kemi shtrirë këtë shërbim policor, jo vetëm në rrugën e kombit dhe në Lezhë, por deri në jug të Shqipërisë, pra në Vlorë dhe Sarandë. Kjo për arsye se mjaftë pushues të Kosovës preferojnë bregdetin e jugut. Ne kemi disa vite që organizojmë këtë shërbim të përbashkët dhe rezultatet kanë qenë pozitive nëse nisemi nga gjendja e trafikut rrugor dhe gjendja e aksidenteve rrugore….Qëllimi i shërbimeve të përbashkëta policore është që ne t’u sigurojmë shtetasve kosovarë, të cilët kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, një siguri maksimale për jetën dhe shëndetin e tyre”, tha ai.

Të dy palët, zyrtarët policorë nga Kosova dhe ata të Shqipërisë, Ismaili tha se janë të interesuar që të zbatojnë rregullat, teksa shtoi se asnjë gjobë nuk u nevojitet.

I pyetur nëse zyrtarët policorë nga Kosova do të mund të shqiptojnë gjoba, Ismaili u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për momentin, porse theksoi se do të mundohen të gjejnë një rrugë që kjo të ndodhë në të ardhmen.

“Ne do të zbatojmë procedurat standarde. A do të kemi të drejtë vendosjen? Legjislacioni i vendeve nuk e lejon vendosjen e gjobave. Në të ardhmen do të mundohemi të gjejmë rrugë që edhe ata të vazhdojnë. Por, besoj nuk është pengesë kjo. Derisa qëllimi nuk është vendosja e gjobave”, u shpreh Ismaili.

Sipas tij, trendi i aksidenteve në numër, ka shënuar një rënie të lartë, por trendi i pasojave, ka një rritje me dy ngjarje më shumë, gjatë muajit qershor.

Drejtori i Divizonit të Trafikut në Drejtoerinë e Policisë të Kosovës, Jeton Rexhepi tha se kanë ofruar mbështetje të plotë për policinë e trafikut rrugor të Shqipërisë, gjatë muajit korrik dhe gusht.

Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij patrullimi të përbashkët është që të merren me kundërvajtjet e rrezikshme, siç janë tejkalimi i shpejtësisë dhe tejkalimet në vendet e ndaluara, me qëllim që secili pushues të kthehet shëndoshë e mirë nga pushimet.

Me këtë rast, ai kërkoi nga pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor në autostradën Morinë-Prishtinë dhe ne vazhdimësi. Teksa bëri të ditur se si do të jetë e përfshirë Policia e Kosovës në patrullimin e përbashkët në Shqipëri.

“Ne si Polici e Kosovës do të mbështesim me 6 turne, do të thotë tri patrulla me 6 zyrtarë policorë dhe 3 automjete. Kësaj radhe, por edhe viteve të kaluara, përpos pjesës nga Morina deri në Lezhë, Shëngjin, Velipojë, do të jetë edhe patrulla tjetër që do të ketë pjesën e Durrësit, të Vlorës, Sarandës, që do të mbulohet bashkërisht me patrulla të dy policive rrugore. Dhe besoj se edhe qytetarët e dy vendeve do të ndjehen shumë më mirë dhe më lirë kur të shohin patrullat të cilat do të ofrojnë sigurinë, përshtatjen e tyre, qoftë në shkuarje dhe në kthim”, u shpreh ai.

Ndryshe, ky patrullim i referohet bashkëpunimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me Policinë e Shtetit të Republikës së Shqipërisë bazuar edhe në memorandumin e bashkëpunimit të firmosur nga autoritetet policore, respektivisht nga dy drejtorët e Policive të të dyja shteteve, Rashit Qalaj dhe Ardi Veliu, rreth një muaj më parë, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror.

PostAdssFotoja e reklamës