Hoti publikon një vendim të Isa Mustafës që thotë se e obligon Pal Lekajn t’i jap fund monopolit të Devollëve

95
Advertisement

Ish-ministri i Financave, tashmë shef i grupit parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, thotë se një vendim i Qeverisë që ishte marrë gjatë kohës sa kishte qenë kryeministër Isa Mustafa, e obligon ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, që t’i jap fund monopolit të homologimit që mbahet për më shumë se një dekadë nga Devollët.

Advertisement

Sipas Hotit vendimi i datës 12 gusht të vitit 2015, me numër 17/44 është ende në fuqi dhe se bazuar në të, të gjitha ministritë përfshirë edhe kryeministrinë, janë të obliguara që të eliminojnë të gjithë format të cilat e kufizojnë konkurrencën e lirë.

“Për heqjen e monopolit në homologimin e veturave, Ministrin e Infrastrukturës e obligon Vendimi i Qeverisë nr.17/44, dt.12.08.2015, që është ende në fuqi. Para nënshkrimit të kontratës së re, që e vazhdon monopolin, duhet të shfuqizohet ky vendim. Ndryshe bëhet shkelje.

Ky vendim bazohet në nenin 119, paragrafi 3, të Kushtetutës dhe Ligjin 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës. Vendimi i obligon institucionet shtetërore të nisin procedurat për eliminimin e të gjitha formave që kufizojnë konkurrencën e lirë, duke krijuar detyrime për qytetarët që cilat detyrime nuk janë paraparë me ligjet në fuqi”, ka shkruar Hoti, teksa ka cituar vendimin e Qeverisë së Isa Mustafës.

Për të njëjtën çështje dje ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka dhënë llogari edhe para Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Të gjithë këto zhvillime rreth monopolit të homologimit, kanë ardhur pas presionit të madh nga Zyra e Bashkimit Evropian, të cilët kërkojnë heqjen e Udhëzimit Administrativ 02/2018 të nxjerrë nga Pal Lekaj, për të cilin Natalyia Apostolova thotë se e zgjat edhe më tepër monopolin në homologim.

Ndërkohë Lekaj në Komision ka thënë se nuk mund të ndërpresë marrëveshjen me “EuroLab” QAK shpk se në atë formë do të shkelte ligjin.

Mirëpo një gjë të tillë ia ka kontestuar deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke thënë se do ta shkelte ligjin nëse do ta ndërprenë atë kontratë në vitin 2016 ose më herët, por jo tani kur më 1 korrik do të skadojë marrëveshja dhe jepet mundësia që të mos ripërtërihet një marrëveshje që do të vazhdonte monopolin e homologimit.

Ndërkohë deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se me udhëzimin administrativ të nxjerrë nga Pal Lekaj nuk është vazhduar monopoli, por vetëm është vështirësuar konkurrenca, gjë që bie ndesh me vendimin e nxjerrë nga Qeveria e Isa Mustafës, që kërkon eliminimin e të gjitha formave që pamundësojnë konkurrencën e lirë në treg.

PostAdssFotoja e reklamës