Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBASHK), ka bërë të ditur se nesër më 26 qershor do të nis pushimet grupi i parë i anëtarëve të kësaj sindikate në bregdetin shqiptarë.
“ Duke vlerësuar e çmuar lart përkushtimin e punëtorëve të arsimit të Kosovës në edukimin e arsimimin e brezave, SBASHK-u vazhdon me traditën e mirë të njohjes së këtij kontributi duke dërguar çdo verë një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të vet për pushime në bregdetin shqiptar.
Në verën 2019 Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, pasi ka analizuar në përpikëri mundësitë buxhetore, ka vendosur që në çdo 60 anëtarë të dërgojë një pushues në bregdetin shqiptar. Përzgjedhjen e pushuesve e kanë bërë shoqatat sindikale në çerdhe, shkolla fillore e të mesme, në njësitë akademike të universiteteve dhe të institucioneve të kulturës.
Të 400 pushuesit janë të ndarë në 4 grupe me qëllim që organizimi të jetë sa më i mirë i pushimeve dhe aktiviteteve sindikale atje. Grupi i parë me pushuesit nga Podujeva, Prishtina, Skenderaj, UP-ja, Qendra e studentëve, Fushë Kosova, Obiliqi dhe institucionet e kulturës e nisin këtë traditë të mirë të mërkurën, më 26 qershor, për të vazhduar ky aktivitet me pushuesit nga komunat tjera sipas agjendës së përcaktuar nga Komisioni për përgatitjen e pushimeve”, thuhet në njoftimin për media.
SBASHK thekson se pushuesit gjatë qëndrimit në bregdetin shqiptar, përveç pushimit të merituar, do të zhvillojnë edhe aktivitete sindikale përmes tryezave dhe debateve për arritjet, sfidat dhe idetë e reja për angazhimin sindikal në vijim.
“Kryesia e SBASHK-ut dhe Komisioni për pushime për hir të transparencës së plotë me të përfunduar të këtij aktiviteti do të botojë në web faqen e saj (sbashk-rks.org) listën e plotë me të gjithë emrat e pushuesve , që janë caktuar nga shkollat dhe njësitë akademike”, thuhet në njoftim.