Për nder të 20-vjetorit të çlirimit të komunës së Skenderajt, motoristët nga Kroacia kanë vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz të Kosovës. Ata u shoqëruan edhe nga kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, teksa ka falënderuar motoristët për vizitën, tha se përmes kësaj vizite po tregohet respekti dhe bashkëpunimi në mes popullit shqiptar dhe kroat.
“I pritëm për vizitë dhe homazhe veteranët dhe motoristët e Kroacisë që kanë ardhur për të nderuar dëshmorët e kombit tonë dhe për të treguar respektin dhe bashkëpunimin që kanë më shqiptarët”, tha ai.
Ndërsa, presidenti i klubit të motoristëve nga Kroacia, Klek Dragoviq ka shprehur falënderim për shqiptarët, të cilët ishin pjesë e luftës në vendin e tij kundër serbëve.
“Ne jemi për herë të dytë për vizitë në Kosovë. Sot kemi vizituar vendet ku ka pasur luftë. Para se gjithash falënderojmë kosovarët, shqiptarët, të cilët ishin pjesëmarrës në luftën tonë dhe kemi një falënderim të madh”, tha ai.
Nga Kroacia për të vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz kishte ardhur edhe motoristi, Ivica Pandza. Ai shprehu nderimin e tij për komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij, ndërsa pati edhe një porosi për shqiptarët.
“Jam për herë të dytë këtu dhe si kroat jam i vetëdijshëm se ndodhem në një vend të shenjtë për popullin shqiptar. Ne jemi të vetëdijshëm dhe të sigurt se ndodhemi në vendin, që nëse shikohet në mënyrën kroate, kjo për ne do të ishte vendi ku është Franjo Tuxhman. Kjo do të thotë se ajo që Franjo Tuxhman është për kroatët, Adem Jashari është për shqiptarët… 2.27-2.59 Ashtu si keni ju miq në popullin kroat, ashtu edhe kroatët dhe shqiptarët janë të lidhur me njëri-tjetrin, pasi kanë armikun e njëjtë, e këta janë ata që kryen këto krime, vranë këtë familje dhe duhet të përgjigjen për atë që kanë bërë këtu dhe të mos ndërrohet roli i viktimës dhe agresorit. Agresor mbi popullin shqiptar në Kosovë ishin ata që kanë ardhur nga Serbia dhe nuk e deshën lirinë, kurse Adem Jashari me familjen e tij realizoi lirinë. Të jini krenarë me këtë”, tha ai.
Veteranët motoristë nga Kroacia po ashtu kanë vizituar edhe kullat e Jasharajve, por edhe Muzeun ku janë njoftuar nga afër për historinë e familjes Jashari dhe luftën në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i shoqëruar nga drejtues të drejtorive komunale, asamblistë e qytetarë gjatë ditës së sotme kanë bërë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari në qendër të qytetit, në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe te varrezat e dëshmorëve në Marinë.
Manifestimi qendror për shënim të 20-vjetorit të çlirimit të Skenderajt do të mbahet nga ora 18:00 në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.