Sipas statutit të FFK-së kryetari i FFK-së është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së e që sipas nenit 33 të Statutit të FFK-së ku rregullohet përbërja e Komitetit Ekzekutiv, është përcaktuar se KE ka 13 (trembëdhjetë) anëtar dhe përbëhet prej: kryetarit, tre nënkryetarëve ( njëri nga ata të jetë nga minoritetet), dhe nëntë anëtarët e saj.
Me datën 09/06/2018 fatkeqësisht ka ndërruar jetë legjenda e futbollit,kryetari i atëkohshëm i FFK-së Fadil Vokrri nga një sulm kardiak që kishte pësuar papritmas, e që vendi i tij kishte mbetur i zbrazët. Rastin e tillë kur një vend në Komitetin Ekzekutiv mbetet i zbrazët e rregullon neni 33 par.4 i Statutit të FFK-së e që përcakton se;
“Nëse zbrazet një vend në KE, Kuvendi e zgjedh zëvendësuesin, për pjesën e mbetur të mandatit”.
Në praktikat e deritanishme është vepruar në respektim të statutit të FFK-së për anëtarët që kanë përfunduar mandatet e tyre para kohe dhe është bërë zëvendësimi i tyre për mandatin e mbetur. Ju rikujtojmë disa nga rastet kur është bërë zëvendësimi i anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dhe nënkryetarëve për mandatin e mbetur:
Pas vdekjes së Agim Malokut, anëtar i KE nga Prizreni, është bërë zëvendësimi i tij për mandatin e mbetur nga Mirsad Çollaku, anëtar i KE nga Prizreni.
Pas dorëheqjes se Murat Hoxhës, anëtar i KE nga Gjilani, është bërë zëvendësimi i tij për mandatin e mbetur nga Bekim Rexhepi, anëtar i KE nga Gjilani.
Gjithashtu pas dorëheqjes së Bekim Haxhiut nga pozita e nënkryetarit të FFK-së dhe zgjedhjes së Agim Ademi kryetar i FFK-së, janë plotësuar pozitat e nënkryetarëve nga Agim Dibrani dhe Bakir Burri për mandatet e mbetura të nënkryetarëve deri me 15.01.2020.
Me vendim të Komitetit Ekzekutiv, me datën 06/07/2018 FFK ka mbajtur Kuvend të Jashtëzakonshëm, e që në këtë kuvend është zgjedhur nënkryetari i deriatëhershëm i FFK Agim Ademi në pozitën e Kryetarit të FFK-së, e që kjo zgjedhje nuk ka pasur mundësi të jetë ndryshe përpos për mandatin e mbetur të kryetarit Fadil Vokrri
Por pse kryetari i zgjedhur Agim Ademi po e paraqet veten si kryetar të zgjedhur me mandat katër vjeçar ? Apo përpiqet Agim Ademi te mashtroj klubet dhe opinionin për mandatin e tij?!
Apo frikësohet Agim Ademi te hyj ne proces zgjedhor me Komitetin Ekzekutiv pas me nuk e ka përkrahjen e familjes Vokrri dhe te bashkëpunëtoreve te afërt te Fadil Vokrrit dhe te disa klubeve te cilat kanë dal publikisht kundër tij.
Paraqitja publike e Agim Ademit kryetar me mandat 4 vjeçar, si dhe regjistrimi i tij në faqen zyrtare të FFK-së, në rubrikën “FFK”, më pas rubrika “Presidenti i FFK-së”,ku aty është një biografi e shkurtër për Presidentin e FFK-së dhe shkruan se Agim Ademi është zgjedhur për një mandat katër vjeçar. Gjithashtu edhe në procesverbalin e kuvendit të jashtëzakonshëm është paraqitur si zgjedhje me mandat katër vjeçar, një paraqitje e tillë dhe një regjistrim i tillë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Statutin e FFK-së e cila konsiderohet shkelje e drejtpërdrejtës e statutit, mashtrim dhe abuzim me detyrën zyrtare.
A mund te i besohet një kryetar i cili përpiqet te mashtroj dhe ta vjedh mandatin pa hyre ne zgjedhje te rregullta?
Statuti i FFK-së ka rregulluar në mënyrë taksative kushtet për zgjedhjen e Kryetarit e që në nenin 39 të Statutit është paraparë se si mund të zgjidhet kryetari i FFK-së, pra aty është përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni:
“Vetëm anëtarët e FFK-së mund të propozojnë kandidatin për Kryetar të FFK-së. Propozuesi duhet të protokollojë propozimin në Sekretariatin Gjeneral të FFK-së, në formë të shkruar dhe duke i deponuar së paku 15 nënshkrime të delegatëve legjitim të Kuvendit të FFK-së, me të dhënat e nevojshme, së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor. Po ashtu duhet të parashtrohet programi i punës. Sekretariati i përgjithshëm duhet që t’i notifikojë kandidatët për kryetar të FFK-së, së paku një muaj para mbajtjes së Kuvendit”.
Nga vdekja e kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri, FFK ka mbajtur kuvend të jashtëzakonshëm e që për mandatin e plotë të zgjedhjes së kryetarit do të duhej të mbahej kuvend i rregullt.
Kuvendi i jashtëzakonshëm ku është zgjedhur Agim Ademi si kryetar i FFK-së është mbajtur me datën 06/07/2018, e që protokollimi i nënshkrimeve për kandidim ka ndodhur vetëm 3 ditë para mbajtjes së Kuvendit të FFK-së, pra nuk është përfillur afati ligjor prej së paku dy muaj para datës së mbajtjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor për tu bërë protokollimi i së paku 15 nënshkrimeve nga propozuesi.
Edhe vendimi i KE të FFK-së kishte qenë për Kuvend të Jashtëzakonshëm për mandatin e mbetur të kryetarit të FFK-së, e jo për zgjedhje të rregullta.