Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë publike pasurinë e zyrtarëve të shtetit, përfshirë këtu edhe ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave e të tjerë.
Telegrafi ka bërë një përmbledhje të pasurisë së deklaruar nga disa udhëheqës shtetërorë, si dhe disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë publike se ka mbi 10 mijë euro të kursyera në institucionet financiare.
Në listën e pasurive të paluajtshme, Thaçi ka bërë të ditur se posedon një shtëpi në vlerë 350 mijë euro, një shtëpi tjetër në fshat në vlerë 80 mijë euro, si dhe 7 hektarë tokë po ashtu në fshat në vlerë 180 mijë euro
Në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasurinë e ka deklaruar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ai ka deklaruar një banesë por që është në emër të bashkëshortes së tij, vlera e së cilës arrin 97.000 euro, një lokal afarist me sipërfaqe prej 270 metra katrorë, vlerën e së cilës nuk e ka deklaruar.
Veseli gjithashtu ka deklaruar se posedon një shtëpi prej 350 metra katrorë e trashëguar nga prindërit e tij, si dhe tokë në mal prej 10 hektarë po ashtu e trashëguar.
Para të gatshme në institucionet financiare Veseli ka deklaruar se i ka mbi 2 mijë euro.
Deklarimin e pasurisë për vitin 2019 në AKK e ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka deklaruar se posedon një shtëpi banimi (e lëshuar me qira), në sipërfaqe prej 950 metra katrorë në vlerë 300 mijë euro, një shtëpi familjare me sipërfaqe 800 metra katrorë në vlerë prej 270 mijë euro, tokë kodrinore në sipërfaqe prej 200 hektarë në vlerë prej 75 mijë euro, tokë-truall në vlerë 27 mijë e 300 euro, një shtëpi banimi me sipërfaqe 500 metra katrorë në vlerë prej 202 mijë euro, si dhe një apartament prej 213 metra katrorë në vlerë prej 70 mijë euro.
Haradinaj po ashtu në deklarimin e pasurisë ka treguar se ka para të gatshme në institucionet financiare në vlerë prej 71.720 euro.
Deklarimin e pasurisë e kanë bërë edhe ministrat e Qeverisë Haradinaj. Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa në bazë të dhënave që ai vet i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit hyn në krye të listës së zyrtarëve më të pasur.
Mustafa ka njoftuar se ka në pronësi një shtëpi, vlera e së cilës arrin në 70 mijë euro, lokal 130 mijë euro, banesë 90 mijë euro, tokë ndërtimi 1,5 milion euro, objekt afarist 260 mijë euro, banesë 130 mijë euro, tokë 210 mijë euro.
Ndryshe nga ministri Mustafa, kryetari i Vetëvendosjes, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, nuk ka deklaruar ndonjë pasuri të paluajtshme e që është në pronësi të tij.
Ai deklaruar se posedon një apartament prej 67 metrave katrorë në vlerë prej 400 mijë eurove, por që është në pronësi të bashkëshortes së tij në Norvegji.
Në mesin e deputetëve që kanë deklaruar pasurinë është edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar se ka dy shtëpi banimi, njëra në vlerë prej 195,000.00 euro dhe tjetra në vlerë prej 200,000.00 euro, transmeton Telegrafi.
Para të gatshme në institucionet financiare Haradinaj ka deklaruar se ka rreth 43 mijë euro. Ndërsa ai ka bërë të ditur se ka borxh 30 mijë euro ndaj familjes së bashkëshortes së tij, familjes Muqaj.
Deklarimin e pasurisë e ka bërë edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Osmani ka treguar se ka një banesë, vlera e së cilës është 40 mijë euro, po ashtu një garazh i cili ende është i papërfunduar por që kap shifrën 2 mijë e 500 euro. Deputetja ka edhe një parcelë toke, vlera e së cilës arrin në 38 mijë euro.
Pak pasuri duket të mos ketë as deputetja tjetër e LDK-së, Teuta Rugova.
Deputetja Rugova ka deklaruar një shtëpi (të përbashkët) e cila kushton 1 milionë e 500 mijë euro dhe një banesë e cila kap shifrën 68 mijë euro.
Ndryshe nga kjo, deputeti i Partisë Socialdemorkate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme në pronësi të tij, dhe se ende jeton me qira.
Ndër kryetarët më të pasur të komunave në Kosovë, radhitet kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
I pari i Gjilanit posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej gati dy milionë euro.
Po ashtu, Haziri ka edhe 116 mijë euro para të gatshme në institucionet financiare.
Nga deklarimet e bëra në AKK, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati po del të jetë më i ‘varfëri’ nga kryetarët.