Ky është komenti më i sakt i mundshëm i qytetarëve të Kosovës për Raportin vjetor për Kosovën të Komisionit Evropian.
Mbase ende e kemi në kujtesë këtë përgjigje të një qytetari shqiptar të Mitrovicës, në pyetjen e gazetarit televiziv që kishte të bënte me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, diku dhjetë vjet më parë.
Nëse nuk ka gjë për Mitrovicën (për bashkimin e qytetit), atëherë, mua nuk më intereson fare se çfarë shkruan në një Raport të tillë.
Kjo ishte domethënie e asaj kundër-pyetjeje të këtij qytetari.
Rrethanat dhe kohët kanë ndryshuar, por jo shumë edhe vlerësimi i një qytetari të rëndomtë të Kosovës për Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili u publikua javën e kaluar.
Tani, kjo kundër-pyetja që është në fakt komenti më i fuqishëm i mundshëm (dhe më i sakti, së paku nga perspektiva e qytetarëve të Kosovës), është kjo: A ka diçka për Liberalizimin e vizave?
Sa për gjërat e tjera që janë në përmbajtjen e këtij Raporti, ato, tek e mbrama, i takojnë politikanëve të këtij vendi, e jo qytetarëve.
Kjo është domethënie a kësaj kundër-pyetjeje të qytetarëve të Kosovës.
Në realitet, në Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, ka diçka për Liberalizimin e vitave. Aty fare qartë konstatohet që Kosova i ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza në Zonën e Schengenit, por ja që diçka e tillë nuk ka ndodhë akoma.
Para dhjetë vjetësh, sikur Komisioni Evropian (që është Qeveria e Evropës së bashkuar), ta bënte një vlerësim dhe një rekomandim të këtillë, s’do mend që do të ishte çështje fare teknike që shtetet anëtare të BE-së ta miratojnë këtë vendim.
Tani, nuk është më ashtu. BE-ja ka ndryshuar, goxha shumë. Jo për të mirë.
Megjithatë, nuk ka shpjegim as interpretim që mund të vijë nga Brukseli, apo edhe nga shtetet që janë afishuar qëmoti si mike të Kosovës, i cili do të mund të ofrojë një justifikim të arsyeshëm për qytetarët e Kosovës, pse ata po ndëshkohen në këtë mënyrë, në mënyrën më të keqe të mundshme.
Qytetarët e Kosovës, tutje besimtarët më të mëdhenjë në këto anë të Ballkanit në Evropë dhe në BE, kanë menduar thjeshtë që reaportet e Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duhet të ndërtohen në respektimin e obligimeve të ndërsjella, sepse në këtë mënyrë zatën funksionon Bota e qytetëruar.
Në këtë rast së paku, bazuar edhe në vetë vlerësimet e Brukselit, Kosova i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e Komisionit Evropian, për ta fituar dhe merituar këtë të drejtë.
Çfarë ka ndodhë para apo edhe më pas, pse BE-ja po përballet me krizën më të madhe në historinë e vet, çka bëjnë jelekverdhët në Paris, apo shamikuqët në Amsterdam, apo kushdoqoftë tjetër kudoqoftë tjetër në hapësirat e BE-së, e tëra kjo nuk ka fare rëndësi (dhe as që mund të ketë), për qytetarët e rëndomtë të Kosovës.
Këtu nuk ka politikë dhe diplomaci të madhe. Dhe as që duhet të ketë.
Për këtë shkak, është e kuptueshme pse qytetarët e Kosovës, që të gjithë, janë tej mase të frustruar me gjithë këtë rrëfimin me Liberalizimin e vizave, i cili nuk mund të mos le gjurmë në bindjet dhe mendimet e këtyre qytetarëve për BE-në.
Pastaj, nuk kanë si të shmangen edhe tregimet konspirative ndër ne, në politikën e vendit, për raportet e Brukselit me ne, si shqiptarë.
Kësaj i kontribon edhe nisma zyrtare e Holandës që Shqipërisë t’i rikthehet regjimi i vizave për shkaqe të ndryshme.
Është një ndjenjë që dyzon pafuqinë dhe frustrimin, teksa dihet botërisht që shqiptarët, kudo që janë në këto anë të Ballkanit, njëmend janë populli më pro-perëndimor, më pro-amerikan dhe më pro-evropian.
Natyrisht, shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të harrojnë çfarë ka ndodhë para njëzet viteve, kur Aleanca Veri-Atlantike intervenoi ushtarakisht për të na shpëtuar, dhe për të na çliruar nga Serbia.
Sidoqoftë, situata me Liberalizimin e vizave duhet njëmend të zgjidhet sa më parë që është e mundur (e kjo nënkupton që deri në fund të vitit ne të udhëtojmë pa viza në Evropë), ashtuqë të rivendosen në binarë raportet e Kosovës me BE-në, të cilat ndryshe, janë të ndërlikuara, pa fajin e Kosovës, që nga bërja e Kosovës shtet i pavarur, për shkak të faktit të njohur që BE-ja nuk arriti të jetë unike në njohjen e kësaj pavarësie.