0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Mkhitaryan jashtë finales, ja arsyet e konfliktit të përgjakshëm Azerbajxhan-Armeni

Kohët e fundit është kthyer në temë dite finalja e Europa League në Baku dhe refuzimi për të shkuar atje i mesfushorit të Arsenalit, Henrikh Mkhitaryan, i cili nuk ndihet i sigurt të luajë në një vend armik për Armeninë. Absurditeti ka shkuar deri aty sa raportohet se autoritetet azere kanë refuzuar të lëshojnë viza për tifozë me mbiemra armenë.

Është një nga rastet më të bujshme ku politika përzihet me sportin, por pakkush e di arsyen reale për konfliktin e përgjakshëm mes armenëve dhe azerëve.

Së pari, nuk është ndonjë çështje me rrënjë të thellë në histori, përkundrazi, është një konflikt me origjinë jo të largët, në shekullin e 19-të.

Armenia – Armenia ka një histori shumë të vjetër, edhe pse në shumicën e historisë së saj nuk ka qenë e pavarur, duke pasur fatin e keq të ndodhet mes perandorive të fuqishme: grekët, romakët dhe otomanët në perëndim, rusët në veri, arabët në jug dhe persët në lindje. Në shekullin e katërt Armenia u bë shtet i krishterë, i pari vend në botë që e bëri atë gjë, si dhe zhvilloi alfabetin armen, që është unik dhe nuk ka lidhje me alfabetet e tjera në botë. Edhe pas pushtimit turk Armenia mbeti kryesisht kristiane, ndërsa në shekullin e 16-të vendi ishte i ndarë mes perandorisë osmane në perëndim dhe dinastisë perse Safavid në lindje.

Armenia Lindore shtrihej në atë që sot është Anadolli Lindor i Turqisë, ndërsa Armenia Lindore shtrihej rreth Erevanit aktual dhe ishte për disa shekuj nën kontrollin pers. Situata në Armeninë Lindore ndryshoi me ekspansionin e Perandorisë Ruse, që po mundohej të merrte kontrollin e krahinës së Kaukazit në fillim të shekullit të 19-të. Persia nuk mund ta ndalte ndikimin rus dhe brenda pak dekadash e humbi kontrollin e zonës.

Azerbajxhani – Emri Azerbajxhan është goxha i vjetër, por nuk ka pasur lidhje me truallin ku shtrihet republika moderne. Fillimisht Azerbajxhani u bë i njohur si emër nga një vasal pers, Atropat, i cili sundonte disa zona në Iranin veriperëndimor aktual. Pas pushtimit të Aleksandrit të Madh, Mbretëria Atropatene u bë vasale greke për një periudhë, para rikthimit të sundimit pers. Emri i mbretërisë u transformua në Aturpatakan, Adurbadagan e deri sa mori emrin Azarbaydjan. Ashtu si armenët, azerët në veri (rreth Bakut) përqafuan kryesisht krishtërimin, ndërsa azerët që jetonin në jug rreth Tabrizit (në Iranin verior) ishin Zoroastrianë. Më pas, me ngritjen e arabëve në Lindjen e Mesme dhe sundimin e tyre në Azerbajxhan, shumë azerë u bënë myslimanë me kalimin e brezave, pak a shumë si ka ndodhur në Shqipëri. Pushtimi nga turqit në shekullin e 11-të pati impakt të rëndësishëm sidomos te gjuha azere, që tani i përket familjes së gjuhës turke. Impakt të madh te besimi fetar pati edhe përqafimi i sektit islamik Shia nga dinastia persiane Safavid në shekullin e 16-të, që ështëedhe arsyeja pse azerët aktualë janë kryesisht shiitë, ndryshe nga shumica e myslimanëve, që janë sunë. Ashtu si Armenia Lindore, edhe Azerbajxhani Verior u pushtua nga Perandoria Ruse në fillim të shekullit të 19-të.

Në fund të shekullit të 19-të nisi një dallgë globale nacionalizmi, që krijoi shumë probleme për perandoritë multietnike si Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane.

Në Anadoll jetonin miliona armenë brenda shtetit osman, por pas “tërmetit” turk dhe shkëputjes së shumë vendeve europiane nga sundimi osman, minoriteti armen në Turqi vuajti tmerrësisht, me qindra mijëra të vrarë gjatë mbretërimit të Sulltan Abdul Hamidit II. Më pas, gjërat shkuan edhe më keq gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Perandoria Osmane u bë aleate me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, ndërsa Rusia u bë aleate me Britaninë e Madhe dhe Francën. Shumë armenë dolën vullnetarë për të luftuar krah Ushtrisë Ruse, duke bërë që të cilësoheshin si tradhtarë nga turqit. Kjo çoi te masakra të reja dhe deportime në masë, një ngjarje që ka hyrë në histori si Gjenocidi Armen, një temë delikate për shumë njerëz. Ndonëse Turqia mohon që të ketë ndodhur, shumë armenë u arratisën nga Turqia, pikërisht për shkak të atij Gjenocidi.

Shumë refugjatë armenë shkuan në Kaukaz, diçka që u pa me mosbesim nga azerët fqinjë. Krahina Nagorno-Karabakh u bë etnikisht e dominuar nga armenët dhe nisën konfliktet që çuan në masakra të përgjakshme nga të dy krahët. Lufta bëhej për territor, por edhe për diferenca etnike e fetare, ndërsa në dy dekadat e parë të shekullit të 20-të Bashkimi Sovjetik e amplifikoi konfliktin, për shkak se vendosi që territori i Nagorno-Karabakh të bëhej pjesë e Azerbajxhanit, edhe pse banohej kryesisht nga armenë. Nën regjimin sovjetiv konflikti u ndal, të paktën në sipërfaqe, por kur pushteti i Moskës nisi të binte në vitet ’80, tensioni mes armenëve dhe azerëve u rrit sërish.

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Armenia dhe Azerbajxhani u bënë shtete të pavarur dhe pak kohë më vonë forcat armene pushtuan Nagorno-Karabakh. Menjëherë pas pushtimit armen, Artsakh u bë vend i pavarur dhe u quajt Artsakh. Çmenduria është se thuajse çdo shtet më botë e konsideron Artsakh ‘de jure’ pjesë të Azerbajxhanit, por ‘de facto’ është pjesë e Armenisë.

Statusi i kësaj krahine mbetet ende faktori kryesor për armiqësinë mes armenëve dhe azerëve dhe zor se diçka e tillë do ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img