Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, qëndroi sot në komunat e veriut ku ka vijuar me fushatën zgjedhore, duke iu drejtuar të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje për të rikonfirmuar praninë e vet, në shtëpitë e pronat e veta, ashtu siç ishin, aty do të mbesin përgjithmonë, të përkrahur në të gjitha nivelet e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Siç njofton PDK, kryetari Veseli, së bashku me kandidaten për kreun e Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushin, me të cilën, ka vizituar “Lagjen e Boshnjakëve”, dhe me këtë rast ka takuar qytetarë dhe familjarë të kësaj pjese të Mitrovicës.
“Do t’i qëndrojmë pranë qytetarëve, për të vijuar ata jetën e tyre, në pronat e tyre, në pajtim me mundësitë e veta dhe përkrahjen institucionale, duke mos i lënë vetëm. Prandaj i ftoj të gjithë shqiptarët që të dielën masovisht të dalin në zgjedhje dhe të konfirmojnë me këtë rast numrin e madh të tyre në pronat e veta”, theksoi kryetari Veseli.
Po ashtu, Kryetari Veseli, gjatë kësaj fushate, së bashku me z. Hysen Mehmeti, kandidat për Zubin Potok, ka qëndruar në fshatin Çabër, me ç’rast ka takuar qytetarët e kësaj ane, duke potencuar se në bashkëpunim me nivelin qendror, do të ketë perspektivë për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës, për të jetuar e punuar në pronat dhe vendbanimet e veta.
Kryetari Veseli bëri sërish ftesë për qytetarët të dalin në zgjedhje në mënyrë masive, sepse, siç theksoi ai, vetëm kështu mund të rikonfirmojmë praninë tonë, qytetarët të dëshmojnë se janë aty, në fshatrat dhe vendbanimet e veta, ashtu siç ishin dje, janë edhe sot, si pjesë e pandashme, do të mbesin përgjithmonë aty, me perspektivë në shtetin e vet.