Mbrëmë rreth orës 23:00 nga Stambolli është kthyer në Kosovë ish-eprori i UÇK-së, Sabit Geci.
Avokati i Gecit, Haxhi Millaku, në një prononcim të shkurtër për Indeksonline ka bërë të ditur se gjendje shëndetësore e Gecit është “tejskajshme e rëndë”.
“Sabit Geci është në vuajtje të dënimit, në përkujdesje të gardianeve. Gjendja shëndetësore e tij është tejskajshme e rëndë. Është diagnostikuar me kancer në mëlçi. Në mëngjes shkallën e sheqerit e ka pas 30, dhe deri më tani ka bërë rreth 15 operacione në vend dhe jashtë vendit”.
Sipas Millakut, përkundër kërkesës për vazhdimin e pezullimit të ekzekutimit të dënimit me burg, nga gjykata nuk ka marrë asnjë përgjigjeje.
Ai po ashtu ka hedhur poshtë raportimet se ndaj Sabit Gecit është lëshuar flet arrest.
“Geci ka pas me u lajmëruar me datën 2 respektivisht 3 të këtij muaji dhe gjykata nuk ka kthyer përgjigjeje deri me tani lidhur me vazhdimin e pezullimit të ekzekutimit të dënimit me burg edhe pse i kam njoftuar për gjendjen i kam dërguar CD dhe të gjithë dokumentacionin me data dhe vend të ndodhjes. Nuk më është kthyer përgjigjeje që nuk aprovohet kërkesa për vazhdim të pezullimit edhe për gjashtë muaj. Ai vullnetarisht është kthyer dhe unë i kam lajmëruar organet e drejtësisë që Geci ndodhet në spital”, ka thënë avokati Haxhi Millaku.