Afati i ri për t’ia larë borxhin Devollëve – paratë nxirren nga arka e shtetit

96
Advertisement

Deri më 15 qershor është shtyrë afati që ka Telekomi për të shlyer borxhin prej 25 milionë e 900 mijë eurosh ndaj kompanisë Z-Mobile të Blerim Devollit. Qeveria e Telekomi kanë pak kohë për të gjetur një alternativë për të dorëzuar pagesën. Afati për milionat përfundon pak ditë para kryerjes së kontratës, e kjo po shihet si shantazh për vazhdim të saj. Nga Telekomi, krye shefi ekzekutiv, Bedri Istrefi thotë se kryeministri shpëtoi falimentimin e kompanisë, sepse disa ministra e proklamonin atë. Sindikata në anën tjetër e sheh marrëveshjen si pazar të Devollëve, raporton Gazeta Express.

Advertisement

Kompania e Blerim Devollit, Z-Mobile, provoi shantazhin karshi Telekomit për pagesën e 25 milionë e 900 mijë eurove. Duke ditur se kjo shumë kishte pak gjasa që të paguhej në afatin e shkurtër që kishin dhënë, ata tashmë kanë dal me afat të ri.

Telekomi i Kosovës ka kohë që shumën ta bëjë gati deri më 15 qershor, pak ditë para përfundimit të kontratës. Nga shumica kjo po shihet si shantazh e kërcënim që kontrata të vazhdohet edhe për vite të tjera.

Kryeshefi ekzekutiv Bedri Istrefi në një prononcim për Gazetën Express ka folur për afatin që iu është dhënë në mbledhjen e djeshme si dhe për pritjet që kanë për dalje nga kjo situatë në të cilën momentalisht gjendet Telekomi.

“Jemi dakorduar me marrëveshje deri 15 qershor me e heq këtë vendimin që e kanë bërë 14 ditorë për ekzekutim të vendimit të Arbitrazhit.  Jemi duke negociuar edhe një farë forme me u hekë edhe një far presioni që ka ardhur ky njoftim në kohën ku ne kemi qenë duke negociuar ka qenë një presion edhe një lloj stresi i madh se nuk kemi pas as qysh me negociu, në njërën anë e kemi pas një njoftim për bllokim të llogarive që kish me qenë jo e mirë, në anën tjetër një kontratë që je i obliguar sipas Arbitrazhit tash po besoj e kemi më të lehtë”, thotë Istrefi. Ai shton se kanë formuar edhe një ekip ekspertësh të jashtëm që do të shikojnë se a do të vazhdohet kontrata edhe më tutje apo jo.

“Ne si Telekom i kemi disa masa shtesë, e kemi formuar një ekip ekspertësh të jashtëm që kanë me na mbështetë në aspektin ligjor që të mos bëjmë ndonjë gabim gjatë procesit të negocimit, edhe jemi në proces të përmbylljes së fazës me një kompani ndërkombëtare që ka me bë ekspertizë financiare do ta shohim në aspektin financiar ne si Telekom a kemi leverdi që të vazhdojmë tutje, apo nuk ka interes. Kur t’i kemi këto dy mendime të këtyre ekspertizave e kemi më lehtë që të dalim te një vendim”, thotë ai.

Istrefi shton se kanë bërë një kërkesë për garancion bankar nga Qeveria e Kosovës, derisa shton se po të mos ishte kryeministri, disa ministra, do të kishin lejuar falimentimin e kompanisë.

“Na e kemi bë një kërkesë për garancion bankar që të fillojmë investimet kapitale aty ku janë të domosdoshme dhe krijojmë njëfarë stabiliteti financiar dhe besoj që java e ardhshme do të jetë vendimtare që qeveria e Kosovës do të na aprovojë këtë garancion bankar, kryeministri është zotu e ka premtu jashtëzakonisht shumë që Telekomin nuk e lë me bankrotu, e për këtë e falënderojmë shumë se mos të kish me qenë gatishmëria e kryeministrit, sa për ministrat tjerë na e kemi pa që vetëm proklamojshin falimentim’, shton ai.

Dje, një ditë pa përfunduar afati që kishin dhënë Devollët është mbajtur mbledhje në mes të komitetit ndërministror, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, bordit e ekzekutivit të Telekomit të Kosovës, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Z –Mobile kryesuar nga Blerim Devolli.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur pas takimit se ishin dakorduar që të krijohet një plan i ri për të kryer pagesat.

“Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të largojmë presionin për inkasimin e mjeteve të vendosura nga arbitrazhi ndërkombëtar me vlerë prej 25.9 milionë EUR përmes përmbaruesve, gjë që do të bllokonte operimin e Telekomit të Kosovës dhe njëkohësisht, negociatat e obliguara në mes të palëve.

Kërkesa jonë si komitet ishte që të krijohet një mundësi e re për të dy palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre, pra mos të bëhet presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës pale”, shkroi Lluka.

PostAdssFotoja e reklamës