Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën e Tokës, 22 Prillin, ka thënë se duhet që secili prej nesh të përkujdeset që mjedisi të jetë sa më i pastër dhe të kufizohet përdorimi i produkteve që dëmtojnë natyrën, pasi që dy dekadat e ardhshme do të jenë vendimtare për planetin.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se njërizim sot është një prej dëmtuesve më të mëdhenj të tokës, pyjeve, lumenjve dhe gjitha resurseve të tjera.
I pari i Shtetit, tha se dy dekadat e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e planetit tonë.
“Dita e Tokës, 22 Prilli, i shërben tërë botës si alarm për rritjen e kujdesit dhe për një ndërgjegjësim kolektiv për rëndësinë e mjedisit ku jetojmë. Njerëzimi sot është një prej dëmtuesve më të mëdhenj të tokës, pyjeve, lumenjve dhe gjitha resurseve të tjera, prandaj ne të gjithë duhet të reflektojmë dhe të jetojmë duke u përkujdesur për gjithçka që na rrethon. Shkenca ka grumbulluar mjaft fakte që tregojnë se dy dekadat e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e planetit tone”, tha Thaçi.
“Duhet që secili prej nesh të përkujdeset që mjedisi të jetë sa më i pastër dhe me sa më shumë gjelbërim, si dhe të kufizojmë përdorimin e produkteve që ndotin dhe dëmtojnë natyrën. Vetëm atëherë ne të gjithë do të jetonim më shëndetshëm dhe do ta ruanim planetin tonë për gjeneratat e ardhshme”, ka shkruar ai në Facebook.