3.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

“Nuk falim tokë në këmbim të liberalizimit të vizave”

Megjithëse Parlamenti Evropian i ka vënë kusht Kosovës, demarkacionin për liberalizim të vizave, kjo nuk ka ndikuar që kundërshtuesit e versionit të tanishëm të demarkacionit të ndryshojnë qëndrim.
Ata mbeten të palëkundur në qëndrimet e tyre, se ky demarkacion nuk duhet të kalojë edhe nëse kjo vërtetë kushtëzohet me lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës.
Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pohojnë se Kosova nuk ka tokë për të falur dhe se kushti i demarkacionit për lëvizje të lirë, është i pakuptimtë, pasi që një kusht i tillë nuk i është vënë asnjë shteti tjetër.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se versioni i tanishëm, është i papranueshëm për popullin e Kosovës, sepse Kosova humb pjesë të territorit të saj.
Ai thotë se për asnjë çmim, madje as për lëvizje të lirë, nuk duhet të copëtohet territori i vendit.
Isufi shtoi se nuk mund të falet toka, për presione të ndryshme, pasi që një gjë të tillë, nuk do ta lejonte asnjë popull.
“Qytetarët e Kosovës nuk mund të falin tokë për hir të lëvizjes së lirë”, thotë ai.
Sipas tij, megjithëse po bëhet presion tek deputetët që ta votojnë këtë formë të demarkacionit, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi që deputetët janë të vetëdijshëm, kanë dinjitet dhe nuk do të lejojnë humbje të territorit.
Edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili është ndër deputetët më të zëshëm kundër këtij demarkacioni, thotë për KosovaPress se ekspertët tashmë e kanë thënë fjalën e vet, ku është ardhur në përfundim që Komisioni Shtetëror për demarkacion ka bërë lëshime gjatë punës dhe se si do të zhvillohen proceset politike tash e tutje në vend, varet ekskluzivisht nga politika.
Andaj thotë se mbetet i palëkundur në qëndrimin e vet kundër këtij demarkacioni.
Duke folur për kushtin e vënë për liberalizim të vizave, ai thotë se nuk është demarkacioni por krimi, korrupsioni dhe politikbërja e keqe që e ka sjellë vendin në këtë pozicion.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj sa i përket demarkacionit me Malin e Zi.
Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj thotë se për ta ky demarkacion me këtë përmbajtje tashmë ka vdekur.
“Më 1 shtator ka vdekur demarkacioni me këtë përmbajtje dhe me këtë formë. Nuk ka forcë, nuk ka pushtet që mundet me imponu faljen e territorit të Republikës së Kosovës“, thotë ai.
Ndryshe, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se demarkacioni do të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Kurse, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi është shprehur i bindur se kjo çështje nuk do të shkojë në Arbitrazh sepse do ta kalojë në Kuvendin e Kosovës, pasi vija e kufirit është në rregull.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img