Në takimin që u mbajt sot me Nivelin e Lartë të Sundimit të Ligjit, Haradinaj bëri të ditur se në fokus ishte roli i institucioneve në veprimin e tyre kundër mosndëshkimit, raporton prishtinapress.eu
Sipas tij duhet forcim i Gjykatave, Prokurorive dhe Policisë në mënyrë që të ndryshojë mentaliteti se dikush në këtë vend është i paprekshëm.
Ky është postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Askush nuk është mbi ligjin dhe Kosova ka kapacitete e guxim për t’u ballafaquar me raste komplekse. Në takimin e sotëm të Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, në fokus ishte roli i institucioneve tona në veprimin e tyre kundër mosndëshkimit. Për ta çrrënjosur mentalitetin se dikush është i paprekshëm kemi investuar në forcimin e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, kemi ndryshuar dhe forcuar ligjet, si dhe kemi vendosur politika të reja ndëshkimore për profilet e larta. Të vetdijshëm se kemi ende punë për të bërë për të dëshmuar sa duhet vullnet politik dhe vendosmëri në vendosjen e shtetit ligjor, në etapën para nesh sistemi i drejtësisë duhet të ketë synim parësor përfundimin me sukses të të gjitha rasteve të shënjestruara dhe të luftojë me efikasitet mosndëshkueshmërinë.