3.6 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Hapja e dyerve sjell në Kuvend rreth 500 bashkatdhetarë

Mërgimtarët janë njohur nga afër me ambientet e punës në Kuvend, detyrat dhe mënyrën e funksionimit të tij, si dhe janë takuar me deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur sot dyert për të gjithë bashkatdhetarët të cilët aktualisht gjenden për pushime në Kosovë, duke u mundësuar atyre që të vizitojnë mjediset e institucionit më të lartë legjislativ dhe përfaqësues të vendit, dhe të takohen me deputetë.
Gjatë vizitave, bashkatdhetarët janë njohur nga afër me ambientet e punës në Kuvend, detyrat dhe mënyrën e funksionimit të tij, si dhe janë takuar me deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare.
Në këtë aktivitet tradicional të hapjes së dyerve të Kuvendit, kryetari Veseli bashkatdhetarët i sheh si faktor tejet të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
“Bashkatdhetarët jetojnë me ne, me të arriturat tona, vështirësitë dhe sakrificat tona. Jetojnë me shpirt në Kosovë dhe duan ta shohin Kosovën të zhvilluar e të përparuar. Propozimet dhe vërejtjet e tyre, do të jenë pjesë e politikës shtetërore që mërgatën tonë ta kthejmë në njërin ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe integrimit evropian të saj”, ka vlerësuar kryetari Veseli.
Hapjen solemne të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, ndërkaq, e bëri kryetari i Forumit për transparencë parlamentare, deputeti Zenun Pajaziti.
Duke i përshëndetur të gjithë mërgimtarët e pranishëm, Pajaziti tha se ky aktivitet, për të dytin vit radhazi, organizohet sipas vullnetit të Kuvendit, por edhe kërkesës së vet mërgimtarëve.
“Është ky një moment për të kujtuar punën e palodhshme dhe aktivitetin e pazëvendësueshëm të mërgatës sonë. Ju jeni padyshim pjesa më e rëndësishme e lirisë që ne sot e gëzojmë, e institucioneve dhe e shtetit të Kosovës. Ju keni vazhduar të rindërtoni Kosovën dhe po bëheni pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit tonë”, theksoi deputeti Zenun Pajaziti.
Anëtari tjetër i këtij forumi, deputeti Sali Morina, tha se diaspora ishte pjesë e pandashme e ndërtimit institucional dhe shtetëror të Kosovës, në secilën fazë, ndërsa shfaqi shpresën që kontakti midis bashkatdhetarëve dhe deputetëve do të jetë i pandërprerë.
Deputetja Shqipe Pantina, po ashtu anëtare e Forumit për transparencë, e konsideroi diasporën arterien kryesore e cila po e mban gjallë jetën në Kosovë, dhe jo vetëm financiarisht. Ajo tha se bashkatdhetarët janë shembulli më i mirë se dashuria për atdheun nuk mbaron asnjëherë dhe e cila duhet të tregohet në çdo situatë.
Bashkatdhetarët, nga ana e tyre, u shprehën të kënaqur që po u ofrohet mundësia të shohin nga afër ambientet e institucionit ku diskutohen dhe merren vendimet më të rëndësishme për qytetarët, si dhe të takohen me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”, i cili po mbahet nën kujdesin e kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe të Forumit për transparencë parlamentare, vazhdon edhe nesër, më 22 korrik, nga ora 10:00 – 16:00.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img