Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka deklaruar sot se Kosova me vendimet e saj ka “mbytur” dialogun dhe beson se autoriteteve nga Prishtina mund t’u shkojë ndërmend të tentojnë që me ndërhyrje ushtarake ta fitojnë veriun e Kosovës.
“Nuk ka thirrje të thjeshtë nga bashkësia ndërkombëtare që Prishtina ta heq taksën ndaj mallrave serbe dhe për këtë arsye ata nuk reagojnë”, deklaroi kreu i diplomacisë serbe për “TV Pink”, transmeton prishtinapress.eu
“Ai ka thënë se SHBA-të kanë interes për heqjen e taksës, vazhdimin e dialogut sepse dëshirojnë të fitojnë për vete një plus politik.
“Disa shtete të BE-së nuk dëshirojnë këtë dhe vazhdimisht i thonë Ramush Haradinajt të mos e heq taksën. Ata dëshirojnë që dialogu të vazhdojë dhe kur të gjithë të ulen në tavolinën e bisedimeve, pastaj të hiqet taksa”, shtoi ai.
“Britania e Madhe, sipas mendimit tonë, është duke e trimëruar Haradinajn të mos e heq taksën, nuk u pëlqen ideja e kompromisit dhe nuk u pëlqen që nuk janë faktor kryesor. Nuk mendojnë se duhet të zgjidhet kjo çështje. Ata propozojnë zgjidhje që nënkuptojnë se ne duhet ta njohim Kosovën me kufijtë ekzistues dhe që veriu i Kosoës të ketë autonomi të gjerë”, theksoi Daçiq.
Ai po ashtu përsëriti qëndrimin e Serbisë se dialogu mund të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës.